Deklaratat e ditëve të fundit të Ilir Metës për Altin Dumanin duken se kanë nxitur opinionin publik të kërkojë dhe të lexojë më shumë rreth tij. Kryetari i Partisë së Lirisë ka parakaluar edhe kryeministrin Edi Rama, sipas një raporti të publikuar nga "Terra World", me ekspert Blerim Gjeladinin.
Informacioni i bollshëm dhe lajmet e shumta lidhur me sulmin e Metës për kreun e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Dumani, kanë bërë që kërkimet në gjigantin e teknologjisë "Google", gati të katërfishohen për periudhën 13 prill-16 prill.
Etiketimet dhe akuzat ndaj kreut të SPAK, me sa duket kanë ngjallur interes për qytetarët duke kërkuar më shumë informacion rreth deklaratave të Ilir Metës. Ndërkaq, pas tij në vend të dytë është kryeministri Edi Rama që mbetet relativisht konstante përgjatë gjithë muajit. Interesi për të parin e qeverisë ka qenë i njëjtë. Sakaq, kryebashkiaku Erion Veliaj mban vendin e tretë, për t'u renditur pas tij Sali Berisha.
Kurse i fundit qëndron Lulzim Basha. Me sa duket interesi për kreun e Partisë Demokratike është i ulët, ku luhatjet janë fare të vogla ose aspak të përfillshme. Më poshtë shihni raportin e detajuar të publikuar nga "Terra World".