Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, përgjatë muajve të fundit e ka marrë shumë seriozisht palestrën dhe e kemi parë mjaft të fokusuar në ushtrimet fizike.
Por, kush e ka inspiruar vallë Metën që t’i futet më kokë aktivitetit fizik? Epo, kush tjetër bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi e cila po ashtu është mjaft në formë dhe ushtrohen pothuajse çdo ditë.
I ftuar në “News 24”, Meta tha se Monika e ka motivuar që ai t’i futet sportit.
“Me aktivitetet e mia sportive kam dashur të jap mesazhin për mbrojtjen e shëndetit nëpërmjet sportit. Garat na ndihmojnë të gjithëve. Pa stërvitje dhe pa djersitje nuk ka arritje. Monika ka qenë një nga nxitësit që unë të merresha me palestër”, tha Presidenti i Partisë së Lirisë, teksa më tej vijoi se stresi i tij i vetëm është që të ndalojë shqiptarët që të largohen nga Shqipëria.
“Por, tani e kam gjetur ilaçin. 5 prioritetet për 4 milionë shqiptarë plus. Ne duhet t’i motivojmë të rinjtë të merren me sport. Më pëlqen që shoh shumë njerëz që merren me sport dhe stërviten në palestër. Po bëj gjithçka që të motivoj të rinjtë të merren me sport”, shtoi Meta ndër të tjera.