Ola Xama thotë se kryebashkiaku Erion Veliaj dhe drejtorët e tij në Bashkinë e Tiranës duhet të hetohen për shantazh ndaj gazetarëve, pasi sapo në media dalin fakte për pasurinë dhe aferat e tyre, menjëherë portale të caktuara nisin sulmet.
Ajo publikon dhe një artikull që është bërë nga një portal online për të sot, vetëm disa orë pasi ajo u shfaq në emisionin "Të Paekspozuarit", ku raportoi mbi pasurinë e deklaruar të Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe të vëllait, Arbër Veliaj.
"Duke qenë se hetimet kanë përfshirë dhe vëllain e z.Veliaj, kam raportuar se si kishte blerë 10% të aksioneve në një kompani për 100 euro dhe pas ardhjes pushtet të Erion Veliajt, firmat e tij kanë krijuar afërsisht 30 milion euro të ardhura dhe 4.5 milion euro fitime.
Asnjë gjë jashtë asaj që është publike në bilancet e deklaruara të kompanive, dhe pa i bërë gjyqin askujt, por vetëm duke shtruar për diskutim çështjen: si ka mundësi që në Shqipëri kanë biznese të suksesshme vetëm familjarët e njerëzve në pushtet?", shkruan Ola Xama.
Gazetarja thotë se nuk ka vonuar shumë pas kësaj deklarate dhe faqja online "Prapaskena" ka publikuar një artikull ku e akuzon Ola Xamën se ka marrë para nga qeveria dhe sapo fondet janë ndërprerë, ajo ka nisur sulmet.
"Sa herë që raportoj çështje të cilat nuk i pëlqejnë kryetarit ose drejtorëve të bashkisë, kjo faqe bashkë me disa portale të tjerë nisin sulmin. Të jetë rastësi, apo mos ka ardhur koha që drejtorët e bashkisë Tiranë dhe vetë kryetari i saj të hetohen për shantazh ndaj gazetarëve?", vijon ajo.
Shënimi i plotë i gazetares Ola Xama në llogarinë e saj në Facebook:
Erion Veliaj është një zyrtar publik, dhe si i tillë e ka ditur që prej marrjes së detyrës që do apo nuk do ai, do të bëhet pjesë e debateve publike në media sa i takon llogaridhënies në raport me detyrën dhe pasurinë e tij.
Prokuroria e Posaçme njoftoi ditën e premte se është duke hetuar pasurinë e tij dhe të familjarëve të tij, fakt që e ka pranuar publikisht dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Nisur nga këto të dhëna, ditën e hënë në emisionin “Të Paekspozuarit” kam raportuar mbi pasurinë e deklaruar të z.Veliaj dhe bashkëshortes së tij, deklarata që janë publike.
Duke qënë se hetimet kanë përfshirë dhe vëllain e z.Veliaj, kam raportuar se si kishte blerë 10% të aksioneve në një kompani për 100 euro dhe pas ardhjes pushtet të Erion Veliajt, firmat e tij kanë krijuar afërsisht 30 milion euro të ardhura dhe 4.5 milion euro fitime.
Asnjë gjë jashtë asaj që është publike në bilancet e deklaruara të kompanive, dhe pa i bërë gjyqin askujt, por vetëm duke shtruar për diskutim çështjen: si ka mundësi që në Shqipëri kanë biznese të suksesshme vetëm familjarët e njerzve në pushtet?
Përgjigjja nuk vonoi, por erdhi përmes një faqeje online të cilën e kam paditur civilisht për shpifje, ku unë akuzohem se kam marrë para nga qeveria.
Sa herë që raportoj çështje të cilat nuk i pëlqejnë kryetarit ose drejtorëve të bashkisë, kjo faqe bashkë me disa portale të tjerë nisin sulmin.
Të jetë rastësi, apo mos ka ardhur koha që drejtorët e bashkisë Tiranë dhe vetë kryetari i saj të hetohen për shantazh ndaj gazetarëve?
Dhe m.q.s. ka dy vjet që e kanë bërë si refren se unë kam marrë fonde publike, i ftoj në gjykatë të më sjellin një dokument që e provon këtë.
Për të tjerat, “pushka top”, le të vazhdojnë se as nuk kam bërë e as nuk kam marrë ndonjë gjë që më bën pis. Llumi ku jeni zhytur nuk lahet dot duke më hedhur baltë mbi mua.