
Një raketë izraelite u raportua se goditi mëngjesin e sotëm Iranin. Lajmi u bë me dije fillimisht nga dy zyrtarët amerikanë, ndërkohë mediat e huaja kanë bërë me dije se shpërthimi ëështë dëgjuar në veri-perëndim të qytetit iranian të Isfahanit.
Ndërkohë, disa orë pas sulmit ka ardhur edhe reagimi i Iranit. Një nga zyrtarët iranianë ka folur për agjencinë e lajmeve “Reuters”, duke i thënë se ata nuk kanë në plan që të hakmerren menjëherë kundër Izraelit.
"Burimi i incidentit nuk është konfirmuar. Ne nuk kemi marrë asnjë sulm të jashtëm dhe diskutimi anon më shumë drejt infiltrimit sesa sulmit," tha zyrtari iranian në kushte anonimiteti.
Dy zyrtarët amerikanë thanë se sulmi erdhi nga Izraeli, mirëpo deri më tani Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë e sulmit.
Kujtojmë që ky sulm i dyshuar vjen pasi Izraeli u zotua t'i përgjigjet një sulmi me dron dhe raketa Iranit, që e sulmoi të shtunën mbrëma.
Më herët, ministri i jashtëm i Iranit u zotua përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së se Teherani do ta bënte Izraelin të "pendohej" për çdo sulm ndaj Republikës Islamike.
“Nëse regjimi izraelit përdor forcën dhe shkel sovranitetin tonë kombëtar, Republika Islamike e Iranit nuk do të ngurrojë për asnjë sekondë të rikthejë të drejtat e saj duke u kundërpërgjigjur me vendosmëri dhe mjaftueshëm për ta bërë këtë regjim të pendohet për veprimet e tij”, tha Hossein Amirabdollahian.