Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

“I besojmë Altin Dumanit”, Komiteti i Helsinkit reagon për rastin “Veliaj”: Të mbrohet SPAK! Të respektohet edhe prezumimi i pafajësisë

Shkruar nga Newsbomb
“I besojmë Altin Dumanit”, Komiteti i Helsinkit reagon për
Foto ilustruese: Ols Dado, Erion Veliaj dhe Altin Dumani

Drejtoresha e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj ka reaguar pas sulmeve ndaj Prokurorisë së Posaçme, që kur kryebashkiaku Erion Veliaj u arrestua për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Skëndaj ka dalë në krah të SPAK, duke vënë në pah rezultatet pozitive për ndëshkimin e zyrtarëve apo ish zyrtarëve të nivelit të lartë.

Duke refuzuar të komentojë çështjen në fjalë, drejtoresha e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, vuri theksin te parimi i prezumimit të pafajësisë, që kushdo quhet i pafajshëm deri sa fajësia e tij/saj të provohet me vendim të formës së prerë.

“Shpresoj që çfarë po ndodh të mos shkurajojë askënd që vepron në mbrojtje të ligjit. Shpresoj që këto themele që SPAK ka hedhur në luftën kundër pandëshkueshmërisë, të forcohen e rriten, e të na japin shpresën të gjithëve për të besuar në një të ardhme më të mire për vendin tonë, ku drejtësia, meritokracia dhe ligji triumfojnë mbi këdo”, shkruan Erida Skëndaj.

Reagimi i plotë:

Për SPAK-un!

Për çdo shkelje dhe parregullsi që mund të pretendohet në proceset hetimore të SPAK është vetëm gjykata që ka atributin ti konstatojë dhe të rivendosë në vend të drejtat e shkelura. Por jo Parlamenti dhe as Ekzekutivi, pasi kjo përbën ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit.

Nëse Shqipëria ka përparuar në rrugën e reformave dhe procesin e integrimit evropian, kryefjalë e rëndësishme e tyre janë rezultatet pozitive që janë shënuar në drejtim të hetimit nga SPAK dhe ndëshkimit nga GJKKO, të zyrtarëve apo ish zyrtarëve të nivelit të lartë. Vetë Qeveria dhe Parlamenti Shqiptar kanë raportuar për këto të dhëna e i kanë reklamuar ato në proceset raportuese pranë Bashkimit Evropian.

Nuk dua aspak të komentoj çështje të veçanta që janë në proces hetimor. Nuk jam dakord, me asnjë koleg të timin, avokat apo jurist që komentojnë këto raste, e po ashtu edhe me opinionistë e gazetarë, që marrin tagrat e prokurorit dhe gjyqtarit në emisione televizive ku diskutohen çështje në hetim.

Po, parimi i prezumimit të pafajësisë, që kushdo quhet i pafajshëm deri sa fajësia e tij/saj të provohet me vendim të formës së prerë, është një nga parimet themelore në proceset penale dhe ai duhet të respektohet nga të gjithë. Por mbrojtja e këtij parimi nuk duhet të jetë selektive, pasi ligji është I barabartë për të gjithë. Komiteti Shqiptar I Helsinkit ka reaguar disa herë kur ky parim është shkelur më së pari në seancat plenare të Kuvendit ku dëgjohen akuzat reciproke për kryerjen e krimeve që kanë deputetët ndaj njëri tjetrit. Por këto reagime nuk e kanë ndryshuar retorikën parlamentare.

Çdo parim dhe e drejtë kushtetuese duhet të respektohet. Ndaj të mos harrojmë me zhvillimet e fundit edhe parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së gjyqësorit që qëndron në themel të shtetit të së drejtës.

Besoj në punën dhe integritetin e SPAK dhe të kreut të tij, Z.Altin Dumani.

Shpresoj që çfarë po ndodh të mos shkurajojë askënd që vepron në mbrojtje të ligjit. Shpresoj që këto themele që SPAK ka hedhur në luftën kundër pandëshkueshmërisë, të forcohen e rriten, e të na japin shpresën të gjithëve për të besuar në një të ardhme më të mire për vendin tonë, ku drejtësia, meritokracia dhe ligji triumfojnë mbi këdo.

Si qytetare, juriste, aktiviste e shoqërisë civile pres që sot, në mbrojtje të punës së prokurorëve të SPAK të dalë edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, organi që qeveris prokurorinë dhe mbron pavarësinë e saj.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese