Hapësire reklamuese

Politikë

I akuzuar për shpërdorim detyre, SPAK kërkon 1.6 vite burg për Eduart Kaprin

Shkruar nga Newsbomb
 
I akuzuar për shpërdorim detyre, SPAK kërkon 1.6 vite burg
Eduart Kapri

Prokuroria kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar dënimin me 1.6 vite burg për ish-kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri.

Mbi ish-kryebashkiakun rëndon akuza “shpërdorim detyre”. Gjatë seancës së zhvilluar këtë të martë, togat e zeza kërkuan 1.6 vite burg për Kaprin, por për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij do të zbritet në 1 vit.

Kapri,  në bashkëpunim me shtetasit Besmira Niko dhe Besjan Meço, kanë lejuar kryerjen e punimeve në kundërshtim me dispozitat ligjore, të objektit pallat 14 katësh, nga shoqëria Gedi sh.p.k., (me administrator shtetasin Gëzim Kapri, vëllain e shtetasit Eduart Kapri), në qytetin e Pogradecit.

Gjatë hetimeve ka rezultuar se në vitin 2009, subjekti Gedi sh.p.k., kishte marrë një leje ndërtimi nga Bashkia Pogradec, për ndërtimin e Objektit “Kompleks Banimi dhe Shërbimi”, 1 kat nëntokë + 2 kate ambiente shërbimi + 9 kate ambiente banimi, në lagjen nr.3 të qytetit Pogradec. Në atë kohë administrator i shoqërisë Gedi sh.p.k., ishte shtetasi Eduart Kapri.

Njoftimi i plotë nga SPAK:

“Në përfundim të hetimeve, pas grumbullimit të provave dhe pas analizës ligjore të kryer, rezulton se është dokumentuar fakti penal, se me veprimet dhe mosveprimet e tij, shtetasi Eduart Kapri, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Pogradec, në bashkëpunim me shtetasit Besmira Niko dhe Besjan Meço, kanë lejuar kryerjen e punimeve në kundërshtim me dispozitat ligjore, të objektit pallat 14 katësh, nga shoqëria Gedi sh.p.k., (me administrator shtetasin Gëzim Kapri, vëllain e shtetasit Eduart Kapri), në qytetin e Pogradecit.

Rezulton se në vitin 2009, subjekti Gedi sh.p.k., kishte marrë një leje ndërtimi nga Bashkia Pogradec, për ndërtimin e Objektit “Kompleks Banimi dhe Shërbimi”, 1 kat nëntokë + 2 kate ambiente shërbimi + 9 kate ambiente banimi, në lagjen nr.3 të qytetit Pogradec. Në atë kohë administrator i shoqërisë Gedi sh.p.k., ishte shtetasi Eduart Kapri.

Në kushtet kur Bashkia Pogradec, ia kishte refuzuar zgjatjen e afatit të kësaj leje ndërtimi, për shkak se afati për përfundimin e punimeve ishte data 09.12.2014 dhe kërkesa e subjektit ndërtues ishte depozituar me shkrim në datë 05.11.2014 (jashtë afateve ligjore ta parashikuara nga ligji 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, dhe kur çështja ndodhej ende për gjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, Kryetari i Bashkisë Pogradec, tashmë shtetasi Eduart Kapri, me vendimin nr. 99, datë 31.03.2016, me objekt “Leje për rishikim të kushteve të lejes”, lejoi jo vetëm përfundimin e punimeve të pezulluara, por dhe ndërtimin e një objekti 14 katësh, në rrugën “Reshit Çollaku”, Pogradec, nga shoqëria ndërtuese “Gedi” sh.p.k, me administrator vëllain e tij, shtetasin Gëzim Kapri.

Ky ndërtim u lejua në kundërshtim me nenet 40 dhe 48 të ligjit 107/2014 “Për planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”, i ndryshuar, nenit 66 të Kodit të Procedurës Administrative, në shkelje të vendimit nr.43, datë 26.01.2015, të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë, duke krijuar kështu përfitime materiale të padrejta për shoqërinë “Gedi” sh.p.k. pasi u shtua sipërfaqja ndërtimore me dy kate. Për më tepër dhënia e këtij vendimi është bërë në kushtet e konfliktit të hapur të interesit, nga ana e të pandehurit Eduart Kapri”.

Rikujtojmë se Kapri dhe disa anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, përfshirë Enkeleida Kllomollarin, Nexhmi Torron, dhe Avdulla Canon, u akuzuan nga SPAK për abuzim me një tender prej 9.2 milion lekësh në vitin 2017, që kishte të bënte me blerjen e druve të zjarrit. Dyshohet se tenderi ishte favorizuar në mënyrë të padrejtë për një nga kompanitë pjesëmarrëse.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese