
Kryedemokrati Sali Berisha ka thirrur në mbledhje urgjente në selinë e PD drejtuesit politikë në qarqe, pas humbjes së thellë të PD në zgjedhjet e 11 Majit.
Kreu i PD, Sali Berisha u shpreh se regjimi i Edi Ramës e ka shndërruar krimin në votë dhe votën në krim.
Berisha u shpreh se në zgjedhjet e 11 Majit u shënua grabitja më e madhe e votës në historinë 33-vjeçare të pluralizmit politik shqiptar.
Kryedemokrati nuk u ndal me akuzat ndaj Ramës duke thënë se kreu i qeverisë ka përdorur bandat për të grabitur votat.
"Regjimi ka shndërruar krimin në faktor kryesor elektoral, krimin në votë dhe votën në krim. Kam një mirënjohje të veçantë për të gjithë komisionerët, vëzhguesit, numëruesit që u përballën prej tre ditësh me presione nga më të ndryshmet dhe mbrojtën me integritet votën e qytetarëve shqiptarë.
Ishte grabitja më e madhe e votës në historinë 33-vjeçare të pluralizmit politik shqiptar. Në këto zgjedhje u faktua në mënyrën më të pakundërshtueshme sesa më e madhe vjedhja dhe korrupsioni, aq më shumë ato shndërrohen në votë dhe pas tyre vota në krim.
Bandat kriminale kanë vepruar më të strukturuara dhe më të kontrolluara se asnjëherë më parë. Këto banda, kanë vepruar në 10 qarqe të vendit dhe mbi 20 bashki me detyrën për të mbështetur dhe sjellë në parlament 30 kandidatë të PS."-tha Berisha.