Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Humbja e Arben Tafaj lë “zemërthyer” demokratë e socialistë, “lumë” reagimesh për vdekjen e kreut të Shoqatës Tirana

Shkruar nga Newsbomb
Humbja e Arben Tafaj lë “zemërthyer” demokratë e
Belind Kelliiçi dhe Arben tafaj-Arben Tafaj

Tirana humbi këtë mëngjes një qytetar të mrekullueshëm, Shqipëria një artist që do të jetojë përgjithmonë mes nesh përmes këngëve të tij, shokët një mik gojë ëmbël dhe besnik, e ndërsa familja shtyllën më të fortë ku mbështeteshin.

Familja Tafaj ndau mëngjesin e kësaj të marte lajmin e trishtë për vdekjen e politikanit dhe qytetarit model, Arben Tafaj. Kryetari i Shoqatës Tirana humbi jetën tragjikisht pasi u rrëzua aksidentalisht nga shkallët e shtëpisë së tij.

Humbja e paparitur e Arbenit, djalit që i kishte të rrallët shokët si vetja, ka lënë pas një boshllëk të madh, jo vetëm te familjarët, por te të gjithë ata që patën fatin ta njohin e të bashkëpunojnë.

Demokratë e socialistë janë bërë bashkë në këtë dhimbje të madhe. Në rrjetet e tyre sociale politikanë të djathtë e të majtë, njerëz të medias e sportit kanë reaguar duke u shprehur ngushëllime familjarëve të Arben Tafaj për humbjen e tij e duke treguar mes rreshtave se sa njeri i paqtë e mik i mirë ishte ai.

Disa nga reagimet:

Taulant Balla: 

Ngushëllime familjes dhe shoqatës “Tirana” për këtë humbje të parakohshme të Arben Tafaj. Kryeqyteti ynë humbi një pinjoll të spikatur ndër familjet e vjetra tironse, i cili shërbeu në pozicione të ndryshme publike, të qeverisjes vendore dhe kontribuoj në promovimin e trashëgimisë kulturore të Tiranës. U prehsh në paqe Arben!

Lulzim Basha:

Pikëllues lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të Arben Tafajt, politikan dhe kontributor i palodhur në shërbim të Tiranës, komunitetit dhe traditës së kryeqytetit, që e deshi fort dhe e promovoi me çdo ditë të punës së tij.

Në këto momente të vështira, mendimet dhe lutjet e mia shkojnë për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e shumtë. U gjendem pranë në këtë humbje të madhe dhe u them se duhet të ndihen krenarë për kujtimin dhe trashëgiminë që la pas Arbeni. U prehtë në paqe!

Belind Këlliçi:

Me hidhërim të thellë mora vesh lajmin për ndarjen para kohe nga jeta të mikut, qytetarit, familjarit, bashkëpunëtorit, politikanit dhe aktivistit të palodhur për Tiranën tonë, z. Arben Tafaj.

Arben Tafaj bëri kaq shumë për qytetin, kontribuoi për vlerat më të mira që ne të gjithë aspirojmë e luftojmë për to. Si kryetar i “Shoqatës Tirana”, punoi pa u lodhur për të ruajtur trashëgiminë, shpirtin e qytetit e autenticitetin tiranas. Po gjithnjë duke përkrahur bashkëjetesën dhe frymën e miqësisë me secilin komunitet.

Si anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë ai ishte një përfaqësues i palodhur i qytetarëve dhe një derë e hapur për këdo që kishte një shqetësim.

Pa Arbenin, Tirana është sot më e varfër, me një referencë që do të na mungojë të gjithëve.

Por ai ka lënë pas shumë punë të mira e rezultate dinjitoze, kujtime dhe vlera, siç është dhe dera e madhe Tafaj, nga ai vjen.

Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë e të afërmit.

Qofsh i Parajsës mik i mirë

Mimi Kodheli:

Benin e kam pasur shok gjimnazi. Por edhe sikur të mos ishim shokë, ata të klasave më të ulta i mbanin mend shumë mirë nxënësit më të rritur.

Shiheshim e takoheshim shpesh rrugëve të Tironës tonë. Më pas u këmbyem edhe rrugëve të politikës. E respektuam gjithmonë njeri tjetrin, respekt të cilin dua ta ndaj me ju miq edhe sot, në ditën e largimit të parakohshëm të tij nga jeta! Pusho në paqe Arben Tafaj!

Erion Veliaj:

I hidhëruar për lajmin e ndarjes nga jeta të anëtarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Arben Tafaj, kryetar i shoqatës “Tirana” dhe një nga zërat më të zëshëm për komunitetin tonë, me zemër të madhe e mik i vyer për shumë njerëz që e njohën. ????️

Ikja e Arbenit është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë, por për të gjithë qytetin e Tiranës. Ngushëllime të sinqerta familjes Tafaj dhe të afërmve të tij!

Orjola Pampuri:

I trishte, lajmi i ndarjes nga jeta te Arben Tafaj.

Familja humbi djalin, babain, bashkeshortin e shtrenjte. Tirana humbi qytetarin me vlera, qe nder vite punoi e kontribuoi per te percuar traditen tiranase aq mire nder breza.

Ngushellimet e mia me te sinqerta, per familjen, te afermit dhe miqte.

U prehte ne paqe Arben Tafaj

Ilir Alimehmeti:

Me hidhërim të thellë u njoftova për ndarjen e papritur nga jeta të z. Arben Tafaj, i cili nuk ishte vetëm një mik, por edhe një qytetar elitar, një aktivist i vazhdueshëm dhe një politikan i spikatur me tone gjithnjë të moderuara qytetare.

Humbja e Benit është patjetër humbje e hidhur për familjarët dhe miqtë e tij, por është humbje e madhe edhe për qytetarët dhe qytetin e Tiranës!

Ngushëllime të ndjera familjes Tafaj për humbjen e një njeriu të dashur, të urtë e të matur.

Do të na mungosh Beni!

Halit Valteri:

Lajm i trishte per te gjithe ne dhe per qytetin e Tiranes.

Largohet nga kjo bote nje koleg i mrekullueshem dhe i dashur. Arben Tafaj

Lamtumire o mik i mire

Kujtim Gjuzi:

NEKROLOGJI

Homazh, Ngushëllim familjes dhe dashamirëve.

Ndahet nga jeta Arben TAFAJ

Tirana humbet kryetarin e saj të Shoqatës.

Tirana humbet nje qytetar autokton.

Tirana humbet nje politikan Lokal zemër Bardhë.

Armand Duka: 

Ndarja e papritur nga jeta e Arben Tafajt më ka hidhëruar pa masë. Humbëm një mik të mirë, një qytetar model që ka dhënë kontribute të paçmuara për vendin e veçanërisht për komunitetin tiranas, të cilit i shërbeu pa pushim dhe me shumë dashuri.

Arben Tafaj ishte një politikan dhe një atdhetar i spikatur, që do të na mungojë shumë neve, miqve të tij, por edhe shoqërisë shqiptare. Dua t’i shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes Tafaj, miqve dhe të afërmve.

Do ta kujtojmë gjithmonë me shumë respekt. U prehsh në paqe Ben!

Rezarta Delisula: 

Lamtumirë Arben Tafaj, jam thellësisht e prekur nga kjo ikje e parakohëshme. Zoti të pastë pranë e Lindës e fëmijëve, Lirit dhe Mimit, u dhëntë forcë.

Enkel Demi:

Jam pa fjalë...Bashkë me Benin ikën një copë prej Tironës tonë, asaj Tirone të mençme, të omël, të hareshme, por edhe punëtore e me vlera të larta morale. Lamtumirë Arben Tafaj. Qofsh i qetë pranë Hyjit, se zemrën e kishe të bardhë dhe kujt nuk i prishe qejf. Shumë ngushëllime njerëzve të shtëpisë dhe veçanërisht përqafime vllait tem, Ilir Tafaj.

Politikani 63 vjeçar ishte anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, një përfaqësues i palodhur i qytetarëve dhe një derë e hapur për këdo që kishte një shqetësim.

Arben Tafaj ishte një intelektual i kryeqytetit dhe kryetar i Shoqatës "Tirana" prej vitit 2001. Ai mbante dhe titullin ndërkombëtar “Ambasador i Paqes” akorduar nga Organizata Ndërkombëtare, “Universal Peace Federation Inter-religious and International Federation for World Peace”.

Përcjellja e Arbenit për në banesën e fundit do të zhvillohet ditën e Mërkurë, më datë 4 Dhjetor ora 11:00, në Funeral Home Alba 2000 te Rruga e Dibrës.

Newsbomb.al i shpreh ngushëllimet familjes Tafaj për ikjen e parakohshme të njeriut të tyre të shtrenjtë!

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese

op
ed