Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore


Politikë

HISTORIA E VEÇANTË/ Zare e flaktë e fushatës së PS në luftë me kancerin, personazhi i dashur që i mungon socialistëve të Vlorës

Shkruar nga Newsbomb
HISTORIA E VEÇANTË/ Zare e flaktë e fushatës së PS
Zare Balla ne takim me Damian Gjiknurin - Prill 2025

Në Vlorë e njeh i madh dhe i vogël. Është tipikisht nga ato simpatizantët që nuk e braktis kurrë partinë, qoftë në ditë të mira e qoftë në ditë të këqija. Ama është po e njëjta që gëzon respekt për bashkëqytetarët e vet, pavarësisht kahut politik.

Bëhet fjalë për Zare Ballën, gruan luftarake dhe simpatizanten dinjitoze të Partisë Socialiste në Vlorë; personazhi shumë i dashur që i mungon fushatës për zgjedhjet e 11 Majit në qytetin bregdetar.

Prej shumë javësh ajo po lufton me kancerin dhe nuk ka marrë pjesë në takimet elektorale të PS në qytetin e Vlorës. Mirëpo, mëngjesin e kësaj të mërkure kur askush nuk e priste, Zare Balla është shfaqur në një takim të Damian Gjiknurit.

HISTORIA E VEÇANTË/ Zare e flaktë e fushatës së PS
Jave me pare, Bledi Çuçi postim per Zare Ballen

Me kapelë në kokë dhe maskë mjekësore në fytyrë, për shkak të sëmundjes me të cilën po përballet me dinjitet dhe forcën e karakterit që e dallon, Zare shihet në rreshtin e parë teksa shtrëngon duart me Gjiknurin. Nuk ka përfaqësues të PS që nuk e njeh apo nuk e ka takuar atë.

Gazetarja e njohur vlonjate, Afrovita Hysaj ka bërë një shkrim të veçantë për Zare Ballën, përmes faqes satirike “Disidentët” që menaxhohet prej saj.

Ajo thotë se pavarësisht bindjeve të ndryshme politike, gëzon respekt të veçantë për simpatizanten e flaktë të Partisë Socialiste, një shembull i qëndresës dhe mbështetjes pa kushte ndaj forcës politike ku aderon.

Shkrimi i plotë i Afrovita Hysës për Zare Ballën:

Legjenda!

Jo Dami, se Damin e dimë...

Por legjenda Zare.

Zaren e kemi parë të parën në çdo fushatë, kudo... më e devotshmja, më e kudo gjendura, luftarakja, e "çmendura" e Partisë Socialiste.

Sigurisht, politikisht ndahemi bashkë!

Por Zaren nuk e shmang dot, ka qenë e mbetet kundërshtare politike nga ato dinjitozet.

Shpesh e kam ngacmuar për angazhimin e saj në PS, duke e marrë edhe shembull të qëndresës pa kushte, pa kërkesa.

Nga ato fanatiket e "çmendura"...

Zarja e para e takimeve, e mitingjeve të PS-së...

Pse po e përmend sot Zaren?

Sepse kjo fushatë është e vetmja fushatë ku Zaren (personazhin e çuditshëm socialist) nuk e kam parë në asnjë takim.

Zarja ka munguar në këtë fushatë për shkak të sëmundjes së saj.

Zarja vuan nga një sëmundje, ajo e tmerrshmja e shekullit.

Dhe mu bë shumë qejfi që në një sekuencë të takimit të Damianit, e pash sërish.

E di që Zarja ka kohë që lufton për jetën. Dhe e di që Zares i ka munguar fushata, aq sa fushatës i ka munguar Zarja.

Mu bë shumë qejfi që e pash dhe uroj që ashtu luftarake siç ka qenë gjithmonë për partinë të jetë edhe për shëndetin e saj.

Në fushatat kundër nesh, Zarja shumicën e herëve ka fituar....e unë uroj shumë që këtë herë Zarja të fitoj luftën më të madhe, për veten. Zare, o legjendë! Respekte dhe të shkuara edhe nga ne kundërshtarët politik.

(Ky është status që ska asnjë prapavijë më besoni, pash Zaren dhe u emocionova siç do ndodhte me shumë të tjerë, kurseni komentet negative ju lutem).

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese