
Blerina Bala, kryetarja e komanduar në krye të Bashkisë Himarë dy muaj më parë, raportohet se ka dhënë dorëheqjen nga posti. Ajo ishte nënkryetare dhe për të zgjidhur krizën në bashki pas arrestimit të Fredi Belerit, u emërua me shumicë votash nga Këshilli Bashkiak në postin e kryetares.
Mirëpo, siç duket qetësia në bashkinë e bregut të jugut ka zgjatur vetëm dy muaj, pasi për arsye të panjohura Blerina Bala ka dhënë dorëheqjen.
Ajo është angazhuar që në moshën 14 vjeçare si aktiviste e Partisë Socialistë në Himarë dhe prej më shumë se një dekade punon në institucionin që e drejtoi për dy muaj si kryebashkiake e komanduar. Blerina Bala jeton dhe punon në Himarë.
Kriza në Himarë dhe Blerina Bala
Blerina Bala u komandua në krye të Bashkisë së Himarës në ditët e fundit të Marsit 2024, gati një vit pas zgjedhjeve lokale që u fituan nga kandidati opozitar në qeli Fredi Beleri. Ky i fundit u dënua muaj më vonë me dy vite burg për shit-blerje votash dhe bashkia mbeti nën drejtimin e socialistit Jorgo Goro.

Mirëpo, kur KQZ i kishte njohur mandatin Fredi Belerit dhe Gjykata e Posaçme nuk i jepte leje për të bërë betimin, u vendos që Jorgo Goro të largohej dhe Këshilli Bashkiak në zbatim të detyrave të tij, të votonte për një kryetare të komanduar.
Me 15 vota pro, edhe nga opozita, Blerina Bala u zgjodh kryetare e komanduar e Bashkisë së Himarës, deri në një moment të ri politik që mund të finalizohej me shpalljen e zgjedhjeve nga qeveria socialiste.
A do të shpallë Edi Rama zgjedhjet e reja?
Situata e ndezur mes Greqisë dhe Shqipërisë, pas arrestimit të Fredi Belerit dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit 2023 mund të kulmojë me shpalljen e zgjedhjeve të reja në Bashkinë e Himarës. Nëse Gjykata e Apelit të Posaçëm lë në fuqi dënimin me 2 vite burg të Fredi Belerit, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme do të jetë një fakt i kryer.
Emërimi i Blerina Balës nga socialistët në krye të Bashkisë së Himarës dihej që ishte i përkohshëm, sepse vetë kryeministri kishte deklaruar se sapo drejtësia të thoshte fjalën e saj, bashkia e bregut të jugut do t'i drejtohej kutive të votimit për të dalë nga kriza.
Mirëpo, ky largim i beftë i Blerina Balës ka thelluar dhe më tepër krizën e Himarës.
© Newsbomb.al