Analisti dhe moderatori Alban Dudushi ka një këndvështrim ndryshe mbi këtë rikthim të furishëm të Ilir Metës në skenën politike, pas një viti kur pothuajse u zhduk. Sipas tij, ish-presidenti ka kërkuar pazar.
"Ka sens viktimizimi reagimi i tij, për t’u heroizuar. Pse heshti kaq gjatë Meta dhe pse tani u aktivizua në këtë formë kaq agresive?
Gjatë kësaj kohe heshtjeje, unë hedh hipotezën që ka qenë duke kërkuar një pazar. Është në të drejtën e tij si politikan për ta kërkuar pazarin. Ka pritur çfarë do t’i japin dhe çfarë do të marrë", është shprehur analisti në emisionin "Top Story".
Alban Dudushi thotë se deklarimet që Ilir Meta bën publikisht në situatën në të cilën ndodhet, nuk mund të merren të mirëqena. Sipas tij, me sulmet ndaj sistemit të drejtësisë kryetari i Partisë së Lirisë po zhvishet nga lëkura e politikanit.
"Tani vjen në momentin e dytë, që është agresivizimi. Ndryshimi është se kësaj here ai po godet një institucion akuze. E shikoj Metën në dy sisteme kur fillon dhe ka këtë komunikim me SPAK. Ka ikur nga lëkura e politikanit, kërcënimet po e nxjerrin nga politika dhe po e çojnë drejt sjelljeve prej të forti, që është i fuqishëm në botën e bandave", përmbylli ai.