![Hedhja e molotovëve në protestën e sotme të opozitës,](https://cdnimpuls.com/newsbomb.al/media3/-900-0-1716913741xprotejpg-676.jpg)
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka reaguar në lidhje me protestën e opozitës të mbajtur paraditen e sotme para Bashkisë Tiranë, ku u hodhën flakadanë dhe molotovë në drejtim të gazetarëve, operatorëve dhe forcave policore.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Facebook, Braçe e konsideron protestën një tentativë vrasje ndaj qytetarëve të Tiranës dhe turistëve të cilët ndodhen në shesh gjatë kohës që po zhvillohej protesta.
Sipas tij, një armë si molotovi është lënë në dorë të fëmijëve të papërgjegjshëm dhe me urdhër të partisë kriminale në vend do të bëjnë gjëmën.
“Bashkia e Tiranës, qendra e Shqipërisë, zona më e populluar në qytet! Molotov që për pak pjek të gjallë njerëz! Shikojeni edhe një herë, kjo është një tentativë vrasje, me dashje apo pa dashje, do ishte vrasje! Është hera e dytë në pak javë! Një armë, si molotovi, në dorë të kalamajve të papaërgjegjshëm me udhër të partisë kriminale në vend, bën gjëmën!”- shkruan Braçe.
Për Braçen, tubimi i opozitës nuk ka lidhje më me kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, pasi ajo është duke u kthyer në një tubim kriminal dhe të rrezikshëm, ndërsa bën thirrje që ajo të ndalohet sa më parë.
“Kjo nuk ka lidhje me Erion Velinë! Herën e tretë, me dashje apo nga budallallëku, kanë për të vrarë njerëz! Ndaleni! Kjo protestë po kthehet në kriminale e rrezik për shqiptarë e të huaj që lëvizin në qendër të Shqipërisë! Ndaleni sa nuk kanë vrarë njeri!”- përfundon deputeti i PS-së, Braçe.
Ditën e sotme, para Bashkisë Tiranë u zhvillua protesta e thirrur nga aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit në bashkëpunim me anëtarët e Partisë së Rithemelimit, pas një sërë tubimesh radhazi të mbajtur në këtë vend, me kërkesën për të larguar kryebashkiakun, Erion Veliaj pas aferës korruptive me drejtorët 5D.
Ndërkohë që në këto tubime është bërë e rrugës që shpeshherë protestuesit të përdorin molotovë dhe flakadanë, të cilat i hedhin kundër punonjësve të policisë, si dhe në disa raste ato prekin edhe gazetarët dhe operatorët që raportojnë nga vendi i ngjarjes.
Dhuna e ushtruar gjatë këtyre tubimeve është dënuar nga ndërkombëtarët dhe organizatat joqeveritare si dhe politikanë të grupeve politike, teksa kanë bërë thirrje për organizimin e protestave paqësore.