Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për Komisionet Hetimore për shqyrtimin e ligjit. Seanca pritet të mbahet më datën 27 maj të këtij viti, në orën 10:00. Sakaq, kërkesa për pezullimin e ligjit do të shqyrtohet këtë këtë të enjte në seancë plenare.
Në mars të këtij viti kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i dërgoi një shkresë Gjykatës Kushtetuese, ku kërkonte përshpejtimin e shqyrtimit të ankimimit për ligjin e "Komisioneve Hetimore".
Në letrën që i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, thuhej se kjo çështje duhet të shqyrtohet sa më parë pasi mbart një interes të veçantë publik, dhe shqyrtimi i saj duhet të bëhet me përparësi.
"Në kushtet kur ligji objekt shqyrtimi prek një prej të drejtave themelore që Kushtetuta e Shqipërisë i garanton deputetëve të pakicës parlamentare dhe një prej funksioneve themelore të Kuvendit, atë të kontrollit efektiv të qeverisjes, është e kuptueshme se kjo çështje mbart një interes të veçantë publik, dhe shqyrtimi i saj duhet të bëhet me përparësi, siç ka vepruar Gjykata edhe në precedentin e mëparshëm lidhur me kërkesën e 45 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për shfuqizimin e vendimit nr. 126/2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Shqyrtimi me përparësi i kësaj çështjeje duhet të marrë në konsideratë edhe faktin se kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimore, e cila ndodhet e depozituar tashmë në Kuvendin e Shqipërisë (shih paragrafin 39 të kërkesës), ashtu si edhe kërkesat e tjera në të ardhmen mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta nga aplikimi i Ligjit nr. 106/2023. Po ashtu, Gjykata duhet të konsiderojë faktin se legjislatura parlamentare aktuale është në vitin e saj të fundit dhe zgjatja në kohë e shqyrtimit të kësaj kërkesë dëmton drejtpërdrejtë hetimin parlamentar", thuhej në shkresë.
Kujtojmë që pikërisht Komisionet Hetimore kanë qenë shkaku i kaosit gjatë muajve të fundit në Kuvend, derisa mes palëve u gjet një konsensus.