Hapësire reklamuese

Politikë

Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e Berishës dhe Malltezit për përjashtimin e 3 gjyqtarëve nga çështja e tyre

Shkruar nga Newsbomb
Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e Berishës dhe
Ish-kryeministri, Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi

Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e paraqitur në seancën e djeshme nga avokatët e ish-kryeministrit, Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për përjashtimin e 3 gjyqtarëve nga trupa gjykuese.

Seanca gjyqësore nisi në orën 15:00 të mbasdites së sotme, ndërsa ka zgjatur për rreth 1 orë. Kjo çështje u shqyrtua nga gjyqtari Artur Kalaja, i cili mori vendimin për të mos pezulluar nga trupa gjykuese 3 gjyqtarët.

Rrëzimin e kërkesës të paraqitur nga kërkuesi Sali Berisha, me objekt: “Përjashtimin e gjyqtarit Ilir Panda, Sokol Binaj, Sandër Simoni, nga gjykimi i çështjes penale nr. 61007- 00370-00-2024, që i përket rekursit kundër vendimit nr. 85, datë 17.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.

Ky vendim t’i njoftohet kërkuesit Sali Berisha dhe gjyqtarëve Ilir Panda, Sandër Simoni dhe Sokol Binaj. Ky vendim është i formës së prerë”,- thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Kujtojmë se gjatë seancës të zhvilluar ditën e djeshme për caktimin e masës së sigurisë ndaj tyre, avokatët e Berishës dhe Malltezit kërkuan dorëheqjen nga gjykimi të tre gjyqtarëvë, Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni me arsyetimin se ato e kishin shqyrtuar një kërkesë të tillë më parë.

Gjykata e Lartë vendosi gjithashtu për të shtyrë seancën gjyqësore për në datën 19 korrik në orën 10 të paradites, ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe dhëndri të tij, Jamarbër Malltezi për dhënien e vendimit për revokimin e masës së sigurisë ndaj tyre.

Berisha dhe Malltezi mbahen prej muajsh nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” në lidhje me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Ata e kanë konsideruar arrestimin si politik, pasi pretendojnë se  ndaj tyre nuk ka asnjë provë.

Berisha akuzohet nga SPAK për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, kryer në bashkëpunim.

Sipas SPAK-ut, Berisha në kohën kur ka qenë kryeministër ka vendosur në funksion të interesave të dhëndrit të tij bazën ligjore, si edhe ka ushtruar presion mbi vartësit për të nxitur plotësimin sa më të shpejtë të procedurave të kthimit të pronës dhe privatizimit të godinave të degraduara të ish-klubit sportiv “Partizani”.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese