
Avokati Genc Gjokutaj ka reaguar në lidhje me miratimin në Kuvend të rezolutës së PS kundër korrupsionit. Gjokutaj e shikon si një metodë të vjetër, por vetëm emri i ndryshon.
Sipas tij, kryeministri Edi Rama njihet tashmë se është mjeshtër për të mbivendosur pushtete dhe për të mbivendosur ligje.
“Fakti është që kjo është një metodë e vjetër, por me një emër të ri. Rama është mjeshtër në sensin negativ për të mbivendosur pushtete për të mbivendosur ligje. E mbani mend operacionin Forca e Ligjit. Forca e Ligjit qe një akt normativ në mbivendosje të ligjit anti-mafia. Rama nuk mundet ta shqiptojë fjalën rezolutë, ai nuk legjitimohet ta shqiptojë këtë terëm dhe jo më të fillojë një luftë serioze në përpjestim të drejtë me interesin për asocimin në BE dhe në përpjestim të drejtë me rritjen e korrupsionit.
Është ky person që ka mbyllur sytë dhe veshët dhe është në krye të këtij tabori të korrupsionit shtetëror tash 13 vjetë, duke sfiduar përmes këtij korrupsioni dhe tashti ky kryeministër del me një rezolutë që do ta nxjerri si varkë shpëtimi të shtetit dhe sistemit të drejtësisë. Ky është një centralizim i ashpër që përfundimisht Rama në mungesë të çdo lloj premtimi, rekordi apo statistike për detyrën që i është caktuar tash 13 vjet, ky centralizim do të sjellë vetëm skandale dhe do të paralizojë çdo lloj segmenti të sistemi të drejtësisë, në fakt rezoluta vetë është pranimi i dështimi të reformës në drejtësi.” - u shpreh avokati Gjokutaj.