
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtor kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Falsifikim dokumentash”.
GJKKO ka vendosur dënimin me 1 vit burgim për Memollën si dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funskione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Kryebashkiaku i Rrogozhinës u paraqit paraditen e sotme pranë ambienteve të SPAK për tu njohur me masën e sigurisë.
Kujtojmë se më herët Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se ka përfunduar hetimet dhe dërguar për gjykim dosjen për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memollën duke kërkuar 1 vit burg për të dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
SPAK ka dërguar për gjykim dosjen e Memollës, Ndriçim Tafxhafës, Blerim Xhamanit dhe Isuf Toskur, të cilët akuzohen për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe dy prej tyre për “falsifikim dokumentash”.
Ky procedim penal është regjistruar pas transmetimit në rrjetet televizive të një regjistrimi audio, ku shtetasi Edison Memolla, kandidat për Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë aso kohe, ndikon tek shtetasi Blerim Xhamani–elektriçist pranë FSHU (Furnizuesi i Shërbimit Universal) Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022.
Nga tërësia e veprimeve u provua se Memolla, ndikoi tek Blerim Xhamani me detyrë elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022, si dhe komunikon me të pandehurin Blerim Xhamani, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, në këmbim të votës.
I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i premtoi një shtetaseje për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, duke i kërkuar të votonte në favor të një kandidati të caktuar në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të zhvilloheshin në Rrogozhinë në datë 06.03.2022.
Gjithashtu të pandehurit Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi nuk ia kanë ndërprerë faktikisht energjinë elektrike abonentit debitor.