“Qeveria italiane është e vendosur të vazhdojë me planin e diskutueshëm për të mbajtur azilkërkuesit në qendra paraburgimi në Shqipëri”, deklaroi ditën e sotme Kryeministrja italiane Giorgia Meloni.
Meloni arriti një marrëveshje me kryeministrin Edi Rama vitin e kaluar për të devijuar drejt vendit tonë disa nga migrantët që Italia kap në det, duke argumentuar se ky plan do të shërbente si një frenues për nisjet nga Afrika.
Megjithatë, ky projekt ka hasur kundërshtime nga gjykatat gjatë muajve të fundit. Gjykatësit kanë ngritur dyshime mbi përputhshmërinë e tij me ligjin e BE-së dhe kanë vendosur që dy grupet e para të migrantëve të mbajtur në këto qendra të transferohen në Itali, duke i lënë objektet bosh, raporton “Reuters”, shkruan Newsbomb.al.
Duke folur në një konferencë të përvitshme për shtyp me gazetarët parlamentarë, Meloni tha se Gjykata e Drejtësisë së BE-së do të nisë shqyrtimin e rastit në shkurt, duke shtuar se shumica e vendeve anëtare të BE-së janë dakord me Romën mbi kampet në Shqipëri.