Politikani demokrat Gazment Bardhi, ka publikuar në llogarinë e tij një foto të kallëzimit penal që ka dërguar në Prokurorinë e Posaçme, për të rihetuar dosjen e Xibrakës, ku u godit një grup që prodhonte kokainë dhe e trafikonte drejt Gjermanisë.
Ai u përgjigjet mediave kritike të cilat kanë shkruar se Bardhi ka bërë vetëm deklaratë publike se do të shkonte në SPAK për vëllain e kryeministrit, Olsi Ramën, por më pas është tërhequr.
"Janë shumë argëtuese këto teoritë konspirative që merren me gjithçka që s’ekziston, përveç të vërtetës. E vërteta qendron në kërkesën time zyrtare të dorëzuar në SPAK për nisjen e hetimeve ndaj Olsi Ramës. Faktet e publikuara ngrenë dyshime të arsyeshme për përfshirjen e tij në çështjen “Xibraka” për trafikun e drogës.
Të apasionuarve pas teorive të sajuara dhe të dështuara konspirative u uroj Gëzuar 1 Prillin, sepse vetëm gënjeshtra u ka mbetur si arma më e fortë! Por, sado të përpiqen, që me shkrime, statuse, kronika, komente të zhbëjnë lidhjen e Olsi Ramës me grupin kriminal të kokainës, TIMS-i dhe dosja janë aty. As nuk të lënë të gënjesh, as nuk të lënë të sajosh", shkruan Gazment Bardhi.
Ai publikon një foto të kallëzimit drejtuar kryeprokurorit Altin Dumani dhe mandatin postar, pasi dokumentet i ka dërguar në SPAK përmes Postës Shqiptare.