Drejtuesi i emisionit investigativ “Report” në Rai3, Sigfrido Ranucci i është përgjigjur akuzave që bëri më herët kryeministri Edi Rama, i cili i cilësoi materialet e publikuara nga televizioni si shpifje skandaloze për Shqipërinë.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Sigfrido Ranucci është shprehur se javën e ardhshme në vëmendje do të jetë sërish Shqipëria, teksa shton se në këtë puntatë të emisionit do të publikohen edhe përgjigjet e Engjëll Agaçit, që konfirmojnë se ka qenë avokat i disa trafikantëve të drogës dhe se ka bashkëpunuar në hartimin e protokollit ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë.
“Report përgjigjet se Agaçi në përgjigjet e tij me shkrim për korrespondentin tonë Giorgio Mottola, të cilat do të publikohen në profilin e Report, ka konfirmuar se ka qenë avokat i disa trafikantëve të drogës dhe se ka bashkëpunuar në hartimin e protokollit ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë. I detyrohesha shumë në emër të së vërtetës. Ne do t’i kthehemi çështjes së emigrantëve të dielën e ardhshme. Emisioni transmetohet çdo të diel në Rai3 në orën 20:55”, shkruan gazetari italian, Sigfrido Ranucci.
Kryeministri Edi Rama reagoi më herët për reportazhin e realizuar nga emisioni "REPORT" në televizionin vendas "RAI 3", i cili pasqyronte disa episode të caktuara që kanë shënjuar qeverisjen e tij, duke përfshirë dhe akuzat e opozitës.
Sikur të mos mjaftonte reportazhi, media italiane "La Repubblica" ka shkruar sot se kryeministri shqiptar ka telefonuar i tërbuar drejtorin e televizionit e "RAI 3", Paolo Corsini për t'i kërkuar llogari për reportazhin mbi Shqipërinë.
Në një reagim për televizionin "Report TV", Edi Rama ka theksuar se është skandalizuar nga ajo që e konsideron shpifje të gazetarit italian për të baltosur Shqipërinë. "Kisha vite pa u skandalizuar me këtë qasje kriminale në emër të lirisë së medias", është përgjigjur kryeministri.
Emisioni investigativ italian Report në RAI 3 hodhi më shumë dritë në lidhje me marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët e paligjshëm. Investigimi ndalet të një pikë shumë e rëndësishme të këtij pakti, atë të kostove, duke pretenduar se ka zbuluar një fakt alarmues.
Krahasuar me 650 milionë euro të investuara në ndërtim për 5 vjet, shpenzimi i përgjithshëm thuhet se do të jetë aq i madh sa të arrijë pragun e 1 miliard eurove. Pra, flasim për shifra shumë të larta krahasuar me kostot e zakonshme të menaxhimit në Itali.