
Gazetari Ferdinand Dervishi ka zbuluar detaje të reja mbi mënyrën se si krimi në Shqipëri menaxhon financat e tij. Sipas tij, në momentin e ndalimit të Ervis Martinajt, autoritetet i kanë aksesuar celularin, ku janë zbuluar shuma të mëdha parash të fshehura në kriptomonedha.
“Bazuar në informacionet që kam, në kohën kur u ndalua, Martinajt i është hapur telefoni dhe është konstatuar një shumë e konsiderueshme e fshehur në kriptovaluta. Madje flitet se kjo shumë është përvetësuar më pas nga persona të tjerë. Për shembull, nëse dy vite më parë vlera e Bitcoin-it ishte 100 milionë euro, sot kjo mund të jetë katërfishuar,” tha Dervishi.
Ai theksoi se grupet kriminale në Shqipëri përdorin gjithnjë e më shumë kriptovalutat për të ruajtur pasurinë e tyre, ndërkohë që operojnë kryesisht me para në dorë. Për sa u përket politikanëve, sipas tij, ata preferojnë të investojnë shumat e mëdha në bizhuteri të çmuara.
“Banda të njohura, të cilat kanë krijuar pasuri të mëdha në Shqipëri, i ruajnë një pjesë të konsiderueshme të parave në kriptovaluta. Rasti i vëllezërve Çopja e konfirmon këtë, me 10 milionë euro të sekuestruara në kriptomonedha dhe 130 milionë në para kesh. Ata nuk i përdorin kriptovalutat për transaksione të përditshme, por i mbajnë si rezervë. Politikanët, nga ana tjetër, nuk blejnë lingota ari, por zgjedhin të investojnë në bizhuteri luksoze sapo u bie në dorë një shumë e madhe parash,” përfundoi Dervishi.