Pas bujës së madhe të shkaktuar nga arrestimi i disa ish-drejtorëve në bashkinë e Tiranës, zëdhënësja e PD-së, Mirela Karabina i ka bërë thirrje SPAK-ut që të mos kursejë asnjë në hetime.
Karabina thotë se sot gjysma e qeverisë së Ramës është në dyert e drejtësisë, për shkak të korrupsionit të lartë dhe thekson se ky model qeverisës i vjedhjes dhe korrupsionit sistemik është shpërndarë dhe në nivelin e qeverisjes vendore.
“Sot gjysma e qeverisë së Edi Ramës është në dyert e drejtësisë e prapa hekurave për shkak të korrupsionit të lartë. Dhe ky model qeverisës i vjedhjes dhe korrupsionit sistemik është shpërndarë dhe në nivelin e qeverisjes vendore.
Me urdhër -arreste të SPAK të disa ditëve më parë, drejtorë dhe ish zyrtarë të Bashkisë Tiranë janë para drejtësisë dhe prapa hekurave. Partia Demokratike në mbështetje pa asnjë rezervë të SPAK, inkurajon hetimet e thelluara pa kursyer askënd në Bashkinë Tiranë për të vënë para drejtësisë vjedhësit e pasurive publike dhe pronave të qytetarëve. Partia Demokratike kërkon publikisht dorëheqjen e Erion Veliajt me qëllim që t’i hapë rrugë hetimeve të thelluara të SPAK ndaj këtij Institucioni,” deklaroi zëdhënësja e PD.
Kujtojmë se sot Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masat e sigurisë të kërkuara nga SPAK tre ditë më parë, për tre drejtorë të Bashkisë së Tiranës, vartësit e tyre dhe një biznesmen. Tre drejtorët do të qëndrojnë në qeli, ndërsa gjashtë të tjerët në "Detyrim paraqitje".
Konkretisht është dhënë masa “Arrest me burg” për shtetasit Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tusha (qëndron në qeli edhe për inceneratorin e Tiranës), si dhe masa e sigurisë "Detyrim paraqitje" për shtetasit Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Eglantina Zëre dhe Deborah Keçi.
Drejtorët e Bashkisë së Tiranës akuzohen se janë pronarët e vërtetë të shoqërisë tregtare “Igor Elektrik” sh.p.k e njëjtë me “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, dhe kanë fituar disa tendera në vlerë miliarda lekë.
Faktet penale të bërë publike sot nga Prokuroria e Posaçme:
Së pari, nga hetimet e kryera është provuar fakti se në periudhën 2016-2020, gjatë kohës që shtetasi Redi Molla ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, shoqëria tregtare “Igor Elektrik” sh.p.k e njëjtë me “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 (shtatë) procedura prokurimi.
Së dyti, është provuar fakti se në periudhën 2016-2018, gjatë kohës që shtetasi Mariglen Qato ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, subjekti tregtar i mësipërm ka marrë pjesë dhe ka fituar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik në 4 (katër) procedura prokurimi.
Së treti, nga veprimet hetimore të kryera është provuar fakti se shoqëria tregtare “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, në disa procedura prokurimi të organizuara nga autoriteti kontraktor Bashkia Tiranë.
Së katërti, janë mbledhur provat e nevojshme që provojnë faktin se shtetasja Eglantina Zere në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt.
Së pesti, nga hetimet e kryera është provuar edhe fakti se shtetasja Deborah Keçi në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor Klubi Sportiv “Tirana”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt.