
Është një ditë e zakonshme si shumë të tjera. Shtëpia është e rrëmujshme kur ata duhet të bëhen gati me urgjencë për të zbritur nga ashensori i pallatit dhe drejt e në makinë. Dy binjaket tani janë bërë 7 vjeç dhe Floriani, si çdo ditë i shoqëron në shkollë.
Vajzat ndjekin shkollën publike “Fan Noli”, dhe ai, si një baba i kujdesshëm i shoqëron deri tek dera e shkollës së rikonstruktuar, e denjë për vajzat dhe mbi 400 nxënësit e tjerë që e frekuentojnë. Me puthjen e tyre para fillimit të mësimit, ai niset drejt vendit të tij të punës.
Të shumtën e herëve preferon ta bëjë në këmbë. Dikur ecte mes një tregu të madh, siç në Tiranë konsiderohej tregu elektrik. Por sot, rregulluar më së miri nga të dy anët, është një arterie gjallërie biznesesh të rregulluara të njësisë 2 në kryeqytet. Florian Pullazi, kryetari energjik i Njësisë 2, e nis kështu ditën e tij të punës.
Ka kohë dhe të mendojë. Tani është ai që shoqëron vajzat drejt shkollës. Këtë fat nuk e ka pasur në fëmijërinë e tij, kur ai bashkë me të vëllain dhe motrën niseshin për në shkollë. Por atëherë ishte ndryshe. Nuk kishte as makina, as kaq shumë qarkullim dhe sikurse e thonë të gjithë, kishte siguri. Por kishte kënaqësi të tjera ajo kohë.
I ati, Agim Pullazi, e kishte djalin e preferuar ndërsa e merrte përherë në makinën e tij, ndër të paktat makina transporti asokohe, dhe e njihte me të gjithë itinerarin e tij të punës. Ishin ditë fatlume ato që i kalonte me të atin. Gimin e njihnin, - dhe e njohin, - të gjithë. Babaxhan, njeri i respektuar, gojëëmbël e fjalëpak, më shumë dëgjonte sesa fliste. Por sa herë që fliste, fjala i zinte vend. Njeri me autoritet.
Në pallatin pranë shkollës së baletit, të gjithë flisnin me Gimin. Nuk prishte qef me askënd dhe po aq i respektonte. Madje, më të pamundurit kishin shumë vëmendjen. Kur ishte i vogël e mendonte gjithmonë se donte ti ngjante të atit. Të respektonte njerëzit dhe ata ta kujtonin se ai, djali i Gimit, tani kishte rrugën e tij.
"Florjan, ktheu për një kafe!" – Eshtë pikërisht një ndër ata punëtorët e orëve të para që e fton për të gjerbur kafenë e mëngjesit pa mbërritur në zyrë.
-Epo duhet të shkoj në zyë".
-Po hajde mor djalë se aty është zyra, shpejt e shpejt".
Kafja e parë e mëngjesit është pikërisht me ata njerëzit që i takon përditë. Aty merr vesh informacionet e para të ditës, debatet, diskutimet. Tani që ka hyrë periudha zgjedhore dhe motorrët e fushatës janë ndezur, është një çështje që nuk shmanget.
-Kryetar, është çarë tubacioni. Në rrugë ka ujë.
-Ja të shkojmë ta shohim.
Aty fillon inspektimi në terren. Fushata ka ritmin e saj, por edhe punët e njësisë, ritmin e tyre. Duhet tua hapë telefonin të gjithëve. Nuk është një gjë që e bën vetëm për fushatë. Këtë punë di ta bëjë më së miri.
Në telefonin e tij ka një numërator të pamatë emrash. Nuk janë vetëm banorët e zonës. Florian Pullazi ka njerëz dhe njohje gjithandej.
Ia tha dhe Rama kur e prezantoi. “E kush nuk të njeh ty në Tiranë mor Pullaz!” Të paktën këtë e mendon gjithmonë ndërsa kujdeset për njerëzit e vet. Njerëzit e njësisë së vet.
Tani i ka hyrë një sfide më të madhe. Eshtë duke kandiduar nga Partia Socialiste si kandidat në listën e hapur për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. U poqën kushtet; u poq edhe ai politikisht.
47 vjeçari ka një jetë në strukturat e Partisë Socialiste. E kishte filluar nga FRESSSH-i në kohëra të vështira kur ngjiste parrulla nëpër mure e shtyllat e lagjes. Atëhere kur lufta politike ishte më e ashpër dhe më e padrejtë. Kur ishte sakrificë për të qenë pjesë e strukturave të PS. Por kjo e ndihmoi të hynte derë më derë. Të njihte lagjen e vet pëllëmbë për pëllëmbë e pas saj të mund të krijonte lidhje dhe shoqëri të reja. Kudo dhe si mundej me një barrë bagazhi në “xhep”, një trashëgimni të madhe që nuk e kishte vetëm prej të atit, Gimit, që donte ta bënte krenar (e kishte nderuar sa ishte gjallë e tani donte të vazhonte rrugën e tij të njerëzillëkut dhe emrit të mirë të Pullazëve).

Si nisi karrierën:
Florian Pullazi u lind në një familje të madhe. E ëma nga Kruja dhe babai me taban tirons sollën në jetë tri fëmijë dhe një emër të madh. Pas gjimnazit u fokusua në Universitet ku mbaroi Ekonomi Agrare. Ishte kohë e vështirë për të vendosur një drejtim. Florjani e kishte pasion të marrurit me biznes dhe provoi disa syresh gjatë kohës që po rritej. Për të ndihmuar familjen dhe veten.
Por, duke qenë një djalë i gjindshëm, me hyrje dalje të madhe familjare, u rrit në një ambient ku fjala e dhënë ishte e domosdoshme për tu mbajtur. U rrit në një familje ku dera mbetej hapur për këdo. Ndaj, të krijonte kontaktet e veta dhe të angazhohej, ishte arma e tij më e fortë. Është art më vete të komunikosh dhe kjo është një armë e fortë e Florian Pullazit.
Që kur ishte në gjimnaz filloi angazhimin e tij në politikë. Me shokët e klasës dhe të shkollës duke u angazhuar me strukturat e forumit rinor eurosocialist. Fillimet ishin si grupe shokësh në komunitet. Por dalëngadalë, sa më shumë vite kalonin aq më shumë rriteshin edhe përgjegjësitë dhe angazhimet politike. Nuk e gjeje Florianin në kafe me gjimnazistë të tjerë. Mbrëmjeve i kalonte në forume partie, fillimisht në lagje, ku përcaktoheshin strategji politike, pse jo, protestash, angazhimesh, posterash, anëtarësimesh të reja e kështu me radhë.
Kur mendoi se ishte pjekur mjaftueshëm kërkoi angazhimin në politikë. Ishte viti 2011 dhe në Tiranë do të votohej për këshillin bashkiak. Në listat e PS pati shumë të angazhuar. Vetë socialistët ishin në opozitë atëkohë. Ndaj me kërkesën e qytetarëve të zonës së vet, u atashua pranë Partisë Demokracia Sociale që ishte po ashtu pjesë e koalicionit “Aleanca për të ardhmen” për të qenë kandidat për Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Në atë kohë, PS kishte vetëm 64 mandate në Parlament dhe kërkonte të bënte diferencën në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Ishin ato zgjedhje lokale në Tiranë ku kryetari i PS në opozitë Edi Rama, kandidonte përballë Lulzim Bashës së PD. Rama i fitoi zgjedhjet vetëm me 10 vota, por pas një vendimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërimin e votave gabim, Lulzim Basha mori mandatin e kryebashkiakut.

E ndryshe nga gjithë kjo odise e madhe politike, sherresh e shamatash, Florian Pullazi, në atë kohë vetëm 33 vjeç, arriti të dilte me votat e qytetarëve të Tiranës, të zonës së tij, anëtar i Këshillit Bashkiak të Kryeqytetit, për të vazhduar në atë këshill plot katër vite të mira në opozitë dhe dy vite të tjera me Bashkinë që u fitua nga socialistët.
Dy herë u kërkoi Florian Pullazi votën qytetarëve të tij të zonës. Në vitin 2011 ku fitoi vendin e anëtarit dhe në vitin 2015 kur qytetarët e njësisë dy e rikonfirmuan për këshilltar bashkiak. Me një bagazh të madh eksperience debatesh të forta në Këshillin Bashkiak të Tiranës që ishte parlamenti i kryeqytetit, Florian Pullazi spikati për logjikën e fortë, për këmbënguljen, për debatet e argumentuara dhe plot pasion. Cilësitë e tij politike ranë shpejt në sy.
Kjo ishte edhe arsyeja që ai u propozua në 2015 për të qenë në Këshillin Bashkiak si pjesë e listës së PS. Ishte disi më e thjeshtë pas asaj fryme ndryshimi që kishte ndodhur në 2013 kur socialistët u rikthyen në pushtet në qendër pas dy mandateve në opozitë. Vec në këtë kohë, lista e Këshillit Bashkiak të Tiranës ishte shumë e fortë dhe me emra “big”: në listë ishte edhe Elisa Spiropali apo Joleza Koka, Luan Bregasi, Aldrin Dalipi apo Elona Gjebrea, Klotilda Ferhati apo Eridian Salianji, e shumë të tjerë që sot i njeh publiku i gjerë.

Sërish në 2015, me votat e tij, Florian Pullazi e sheh veten anëtar të Këshillit Bashkiak për të vazhduar rrugën e nisur në parlamentin e Tiranës. “Duhet të flasim për punët publike, jo për politikën e madhe”. E kthyer në një moto Floriani gjithmonë e vuri theksin te problemet e qytetarëve të kryeqytetit dhe më së shumti të zonës së tij. Banesat sociale, parkingjet, investimet, shkollat e kopshtet e çerdhet, uji i pijshëm…këto dhe shumë të tjera ishin problemet në të cilat u angazhua Pullazi duke qenë zë i fortë në Këshillin Bashkiak.
Madje, si për koicidencë, 10 vite më parë, në 2015, ishte zëri i fortë i parlamentit të Tiranës kundër koncesionit 35 vjeçar që zoti Basha donte ti jepte dy kompanive private për parkingjet në kryeqytet, e ku vetë Bashkia do të merrte vetëm 10 përqind të atyre fondeve. “Nuk ka logjikë ekonomike”, bërtiste e argumentonte Pullazi sa në mbledhjet e Këshillit e në çdo televizion, derisa edhe vetë Lulzim Basha u tërhoq nga projekti.
Vijueshmëria:
Duke qenë se kishte mbaruar Ekonomi Agrare e master profesional për Teknologji Ushqimore, në fillimet e qeverisjes së PS në 2013 Floriani shërbeu për 1 vit si drejtor i Menaxhimit të Rriskut pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
Ishte viti më i vështirë pasi asnjë reformë nuk ishte kryer në këtë sektor nga paraardhësit. “Toka ishte djerrë” dhe stafet e reja të ulura në zyrë do të duhej të merreshin fillimisht me legjislacionin e paralelisht kontrollet në terren. U kryen shumë reforma që u konsideruan “të forta”, ushqimet nuk po lejoheshin të shiteshin nëpër rrugë, si bulmeti, peshku apo mishi. Tregtarët ambulantë protestonin por popullata e gjerë përkrahte nismat e ndërmarra për të rritur cilësinë e ushqimeve.
Nuk qëndroi gjatë sepse u thirr për një tjetër sfide këtë radhë në menaxhimin e ujit, atë të administratorit të lanabregasit. Paralelisht, Flor Pullazit iu besua dega e partisë socialiste Njësia 2 dhe pas kësaj, iu kërkua të heqë dorë nga mandati i këshilltarit Bashkiak për të marrë një detyrë menaxheriale më të rëndësishme. Nga viti 2017 e deri më sot, Florian Pullazi u caktua kryetar i Njësisë Bashkiake nr 2, njësia ndër më të mëdhatë në kryeqytet me mbi 85 mijë banorë.
Një minikryetar bashkie ishte një tjetër sfidë të cilën Floriani e përballoi me sukses. Më parë ishte marrë me fushata, duke dëgjuar e mbajtur shënim problemet e qytetarëve. Tani ishte ulur në atë karrige ku nuk duhej thjesht të dëgjonte e shënonte, por duhet të jepte zgjidhje. Dhe kjo, është pjesa që e bën atë më shumë krenar se çdo gjë tjetër.
Kalon rrugëve të njësisë dy dhe sheh veshtrimet mirënjohëse të bashkëqytetarëve të vet. Ka hyrë në çdo pallat në kohën e tërmetit, ka analizuar çdo dëm, ka gjetur zgjidhje për banorët. Floriani ishte aty kur telefoni binte në mesditë apo në mesnatë, kur ka pasur raste zjarresh në pallate, apo kur duhet të shtroheshin rrugët; ka qenë aty për të biseduar me banorët për të shtuar hapësirat e gjelbërta dhe për të liruar hapësirat e zëna me të padrejtë. Gjithmonë është përpjekur të zgjidhë çdo gjë më mirëkuptim, si “bashkëbanorë të zonës” dhe jo me autoritetin e kryetarit. Dhe thuajse në të gjitha rastet ka gjetur mirëkuptimin e tyre.
Siç po ndodh edhe tani që kandidon për deputet në zonën e tij. Një shkallë më lart. Në gjithë daljet televizive edhe kundërshtarët e tij të së djathtës e pranojnë me zë të plotë: Flor, nuk kemi ç’të themi për ty!
Dhe këtu ndihet krenar për veten, për familjen, për amanetin e të atit: të punosh me ndershmëri, të komunikosh dhe ti zgjidhësh problemet të gjithëve, kur e kemi në dorë. Floriani atë po bën!

Sondazh