
Pesë ditë nga zgjedhjet e 11 Majit, fituesi tanimë dihet, por që “lufta” për karriget në Kuvend është duke vijuar në një kohë kur shpresat janë ende “gjallë” te votat e diasporës.
Ndonëse Partia Socialiste arriti që të siguronte mandatin e katërt me mbi 730 mijë vota, të përkthyera në 83 mandate, kryesocialisti Edi Rama nuk mundi që të “shpëtonte” disa veteranë të vjetër të forcës politike që ai drejton.
Këtu përmendim Pandeli Majkon, një figurë e njohur dhe e respektuar te socialistët me një kontribut dhe vite të tëra pune te të majtët. Edhe Mimi Kodheli, gruaja e parë që u emërua në postin e Ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë në mandatin e parë të Ramës, nuk mundi që të grumbullonte mjaftueshëm vota për të kaluar kolegët e saj socialistë.
Nga të dhënat e përditësuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më tani socialistët si Arben Pëllumbi; Klotilda Bushka; Mimi Kodheli; Ermonela Felaj(Valikaj); Pandeli Majko; Plarent Ndreca; Etilda Gjonaj; Toni Gogu e Olta Xhaçka të cilët “luftuan kokë më kokë” në “arenën” e Tiranës, nuk do të jenë pjesë e Parlamentit të ri.
Ndërkohë, Shkodra nuk rezultoi të ishte e të majtëve ashtu sikurse dhe në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023 ku Benet Beci “theu” bastionin e të djathtëve duke fituar bindshëm për të qenë kryebashkiaku i shkodranëve. Por, mesa duket në zgjedhjet e 11 Majit qytetarët e Shkodrës besuan më tepër te Partia Demokratike dhe vizioni i tyre, duke lënë Partinë Socialiste ne katër mandatet e sigurta. Si rrjedhojë ish-ministrja Edona Bilali, e cila ishte vendosur në listën e hapur, nuk mundi që të kapërcente “pragun” për të qenë pjesë sërish e Kuvendit të Shqipërisë.