Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar organizoi një ceremoni për të nderuar sportistët shqiptarë në arenën ndërkombëtare për vitin 2024, ku morën pjesë kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Në fjalimin e këtij të fundit, Veliaj nuk nguroi të ironizonte hetimet e SPAK-ut ndaj tij.
Duke iu drejtuar presidentit të KOKSH-së, Fidel Yllit, Veliaj u shpreh: "Fidel, të lus shumë që të mbash faturat. Kanë ardhur ditë që duhet të jemi shumë korrektë me gjërat dhe të kemi raportim të saktë të mbrëmjes gala”.
Kjo batutë, e thënë në prani të kryeministrit, duket qartë si një referencë ironike ndaj procedurave hetimore të SPAK.
Kujtojmë se pak ditë më parë, kryebashkiaku Veliaj u paraqit në SPAK, ku qëndroi për më shumë se pesë orë për t’u marrë në pyetje lidhur me disa çështje penale. Gjatë këtyre hetimeve, janë ushtruar kontrolle në zyrën e kompanisë së bashkëshortes së tij dhe në banesën e vëllait të tij. SPAK ka nisur hetime pasurore ndaj Veliajt dhe po shqyrton rolin e tij në rastin e inceneratorit të Tiranës dhe kompanisë "5D", që lidhet me ish-drejtues të Bashkisë.