Partia e Lirisë ka mbledhur këtë të martë Komitetin Drejtues Kombëtar, një ditë pas mbledhjes së Kryesisë, për të votuar vendimet e marra dhe për të krijuar kushtet e nevojshme për ndryshimin e situatës politike dhe sociale në Shqipëri.
Si një parti e opozitës dhe në interes të qytetarëve, Partia e Lirisë nën drejtimin e Ilir Metës synon angazhim më të gjerë, me qëllim forcimin e të drejtave të qytetarëve.
"Do ndahemi nga nepotizmi dhe krahinarizmi, familjariteti. Na ka ndikuar edhe ne brenda partisë sonë. Sepse një parti duhet të jetë e besueshme në shtet, dhe do të kemi shumë shpejt ndryshime statutore. Do ta bëjmë shumë herë më mirë seç i ka bërë Ilir Meta kur ishte kryeministër i një qeverie pa përvojë. U tha u bë", tha ai dhe i ra më tavolinës me grusht.
Më tej, gjatë fjalës së tij ai kujtoi dhe një episod kur vetë ishte kryeministër dhe Edi Rama ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës.
"Siç e kemi bërë edhe më parë, kur thamë se do të mbillej bari në Tiranë dhe ai hezitonte. Nuk vinte në mbledhje ai se e merrnin në telefon të fortët e Tiranës. Dhe bari doli fiks në kohë", tha Meta duke iu referuar kohës kur ishte kryeministër dhe Edi Rama ishte kryetar i bashkisë së Tiranës në kohën e prishjeve të mëdha te parku Rinia dhe buzë Lanës.
“Me atë vendosmëri që u bë rruga e Llogarasë në kulmin e dimrit, 17 kilometra, as 1 milionë euro dhe me ushtri dhe i falenderoj forcat e armatosura dhe të xhenios”, vazhdoi Meta.