
Ditën e nesërme, më 16 maj 2025, Shqipëria do të presë Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian (KPE) në Tiranë, duke mbledhur 47 krerë shtetesh dhe qeverish, së bashku me drejtuesit e institucioneve kryesore evropiane dhe ndërkombëtare.
Disa nga liderët do të mbërrijnë prej ditës së sotme, ku i pari që pritet është kryeministri britanik.
Kryeministri i Britanisë, Keir Starmer pritet të jetë në Rinas rreth orës 10:30, të paradites së sotme. Më pas mbërrin shefi i NATO-s, Mark Rutte i cili do të jetë rreth orës 15:30, kurse presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky pritet në mbërrijë në Rinas në orën 18:30.
Pritet gjithashtu të vijë në Shqipëri edhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen si dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Përveç liderëve botërorë, i pranishëm në këtë event do të jetë edhe dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner dhe themelues & CEO, Affinity Partners. Sipas axhendës së zbardhur, ai do të mbajë fjalën në orën 10:05, ku do të diskutohet për investimet si një urë lidhëse mes tregjeve dhe zhvillimin e tyre.
Kjo do të jetë hera e parë që KPE mblidhet në Ballkanin Perëndimor, një moment me rëndësi historike si për Shqipërinë, ashtu edhe për rajonin në tërësi.
Diskutimet do të zhvillohen nëpërmjet tre tryezave të nivelit të lartë me tematika specifike:
Siguria dhe qëndrueshmëria demokratike e Evropës – duke adresuar çështje urgjente si mbështetja për Ukrainën në ndjekjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, si dhe sfida afatgjata si mbrojtja e proceseve demokratike nga ndërhyrjet e huaja dhe forcimi i mbrojtjes kolektive të Evropës.
Rritja e konkurrueshmërisë dhe sigurisë ekonomike – me fokus te inovacioni, infrastruktura dixhitale, qëndrueshmëria energjetike dhe autonomia strategjike për të mbrojtur zinxhirët kritikë të furnizimit dhe për të balancuar objektivat klimatike me forcën industriale.
Migracioni, mobiliteti dhe fuqizimi i të rinjve – duke diskutuar nevojën për rrugë të ligjshme migrimi dhe bashkëpunim me vendet e origjinës dhe tranzitit, si dhe sfidat e “armatosjes” së migracionit dhe mbajtjes së talenteve brenda ekonomive kombëtare. Bisedimet do të përfshijnë gjithashtu rolin e gjeneratës së re në formësimin e së ardhmes evropiane, sidomos përballë inteligjencës artificiale dhe përshpejtimit teknologjik.
Roli i Shqipërisë si mikpritëse pasqyron orientimin e thelluar evropian të vendit dhe kontributin në rritje për stabilitetin rajonal dhe kontinental. Si anëtare e NATO-s, vend kandidat për anëtarësim në BE dhe zë aktiv në bashkëpunimin rajonal, Shqipëria është në një pozicion unik për të nxitur dialog domethënës në një moment kur Europa duhet të flasë dhe të veprojë me më shumë kohezion.
Samiti i KPE-së do të zhvillohet në zemër të Tiranës, në Sheshin “Skënderbej”—një hapësirë ku ndërthuren historia dhe identiteti modern i Shqipërisë. I rrethuar nga institucione kulturore dhe qeveritare, sheshi përfaqëson transformimin demokratik të vendit dhe shpirtin e tij të orientuar nga e ardhmja. Ai qëndron sot jo vetëm si një simbol i rilindjes kombëtare, por edhe si një vendtakim i denjë për dialog të hapur, aspirata të përbashkëta dhe një Evropë më të bashkuar e më të fortë.
Axhenda e samitit
10:00 – Mbërritje
11:00 – Ceremonia e hapjes
11:30 – Foto familjare
11:45 – Seanca e parë plenare
13:00 – Dreka zyrtare
14:30 – Tryeza tematike
15:45 – Takime dypalëshe midis Kryetarëve të Delegacioneve
17:30 – Seanca plenare mbyllëse
18:30 – Konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryeministrin e Danimarkës (pritësi i radhës)