Kryetari i Partisë Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha ka komentuar sulmet e fundit në Zubin Patok, të cilat ai i konsideron si të orkestruara nga Serbia për të destabilizuar Kosovën.
Në një intervistë për gazetaren Alba Xhani në Euroneës Albania, Basha kritikoi ashpër qëndrimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, dhe lidhjet e tij me figura pro-ruse, duke e cilësuar Serbinë si një kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon.
Gjithashtu, Basha theksoi dështimin e Shqipërisë dhe të kryeministrit Edi Rama për të ndërmarrë veprime konkrete në mbështetje të Kosovës, duke kërkuar që qeveria shqiptare të miratojë propozimin e tij për një ndihmë financiare prej 50 milionë eurosh për forcimin e sigurisë në vendin fqinj.
Lulzim Basha: Më habit qartësia e presidentit Vuçiç për t’u vetdemaskuar. Nga njëra anë distancohet nga sulmi, diçka që e ka bërë edhe ministri i tij i jashtëm. Nga ana tjetër thotë se e dimë kush janë autorët, dhe nëse e di, duhet t’i tregojë ata. Së fundmi, ai mundohet ta fusë në kornizën e një sulmi hibrid ndaj Serbisë. Nëse Serbia është vërtetë e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon, duhet të kishte arrestuar Radoiçicin, kreun e sulmit paraushtarak terrorist në Banjskë, i cili endet i lirë rrugëve dhe hoteleve të Beogradit, duke pasur kontakte të përditshme me njerëzit më të lartë të lidershipit serb dhe të aparatit të sigurisë së Republikës së Serbisë. Kjo në vetvete shpalos vetëm dy mundësi teorike, që për mua janë të qarta. Mundësia e parë është që presidenti Vuçiç e ka situatën jashtë kontrollit, dhe se dërguari apo përfaqësuesi zyrtar i interesave të Vladimir Putin në qeverinë e Serbisë, Vulin, e ka vënë përfund. Dhe që sot, pjesë të rëndësishme të aparatit të sigurisë të Serbisë, përfshirë segmente të Forcave të Armatosura, të Inteligjencës, të Policisë janë nën kontrollin indirekt të Vladimir Putin, përmes kontrollit direkt të Vulin. Kjo do të thotë se presidenti Vuçiç është sot një kukull.
Pyetje: Çfarë duhet të bënte konkretisht zoti Rama, përtej reagimeve në rrjetet sociale apo në media?
Lulzim Basha: Zoti Rama duhet të nxjerrë nga syrtari propozimin që ka aty, prej 18 janarit të këtij viti. Propozimin tim për të amenduar buxhetin e shtetit, këtë buxhet me 7.2 miliardë euro shpenzime dhe buxhetet e ardhshme, për një xhest, por jo vetëm xhest politik, që është ndihma financiare për mbrojtjen e Kosovës prej 50 milionë eurosh në vit. Çlirimi i këtij amendamenti të buxhetit, alokimin e këtyre fondeve në ndihmë ushtarake për Republikën e Kosovës, është në radhë të parë një ndihmë shumë e nevojshme dhe e mirëpritur për Kosovën. Dhe në radhë të dytë, një xhest i fortë që tregon se Shqipëria, anëtare e NATO-s, nuk do të rrijë duarkryq, apo të luajë rolin e një komentatori sportiv sa herë që Beogradi, për interesa të brendshme apo i përdorur nga Moska, dëshiron t’i fryjë zjarrit të destabilizimit në Kosovë. Pra, Shqipëria duhet të flasë me vepra. Sa më takon mua, pas zgjedhjeve të ardhshme do të flas me vepra, do t’i jap fund kësaj shfaqjeje me maska që politika zyrtare e zotit Rama ka marrë fund.