Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina ka reaguar mbi sulmet që ish-presidenti Ilir Meta ka bërë kundrejt PD-së, gjatë mbledhjes në Konventën e sotme të mbajtur nga Partia e Lirisë.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, bashkëngjitur me një video, Karabina tregon sulmet e Metës ndaj PD-së ndër vite, si dhe nga ana tjetër “servilosjen” e tij në rastet kur kishte interesa personale.
Gjithashtu, zëdhënësja e shoqëron videon me një mbishkrim, ku shprehet se hallet e Ilir Metës nuk do të jenë kurrë hallet e Shqipërisë apo shqiptarëve, ndërsa shton se koha kur ai ushqehej me “gjakun” e demokratëve ka marrë fund.
“Ky është Ilir Meta ose Ilir Metaj. Koha kur ai ushqehej me “ gjakun” e demokrateve ka marrë fund. Hallet e tij nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë hallet as të Shqipërisë, e as të shqiptarëve”,- shkruan në Facebook zëdhënësja e PD-së, Mirela Karabina.
Më herët, Meta akuzoi kryedemokratin Lulzim Basha si tradhëtar, për të cilin tha se me vulën pa parti ka marrë 1 milionë euro nga buxheti i shtetit.
Ditën e sotme është mbajtur Konventa Kombëtare e Partisë së Lirisë, me qëllimin për të zgjedhur anëtarët kryesorë të saj që do e përfaqësojnë këtë parti në vitet në vijim, ndërsa sipas kryetarit të saj, Ilir Meta është bërë e ditur se kjo mbledhje po organizohet në kuadër të zhdukjes së nepotizmit në strukturat e brendshme drejtuese.