Ish deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji bën rekurs në Gjykatën e Lartë vendimin e Apelit i cili la në fuqi dënimin me 1 vit burgim si i akuzur për shpifje në dosjen “Babale”.
Në rekursin e paraqitur pranë gjykatës, Salianji kundërshton vendimin e 18 dhjetor 2019 të Gjykatës Penale ku u dha dënimi me 1 vit burg për ish-deputetin si dhe vendimin e 26 shtatorit të këtij viti të Apelit të Përgjithshëm që la në fuqi po të njëjtin vendim.
Gjykata e Shkallës së Parë e ka dënuar me 1 vit burg deputetin Ervin Salianji në dhjetor të 2019 për dosjen "Babale" dhe vendimi është apeluar prej tij në Apel. Një çështje e zvarritur për vite me radhë, ndërsa togat e zeza lanë në fuqi po të njëjtin vendim duke e dërguar ish-deputetin Salianji pas hekurave.
Gjyqi mes Salianjit dhe vëllait të ish-ministrit Fatmir Xhafaj ka vijuar më shumë se dy vite.
Vite më parë, Ervin Salianji denoncoi vëllain e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Geron Xhafaj duke thënë se edhe përse ishte i dënuar me 7 vite burg në Itali, prej disa vitesh jetonte i lirë në Shqipëri falë mbështetjes së të vëllait politikan.
Gjatë asaj kohe, gazetari Jetmir Olldashi publikoi një video ku i ashtuquajturi “Babale” u paraqit si drejtues i skafit të vëllait të ish-ministrit të Brendshëm. Pas publikimit të këtij rasti u hap një hetim penal me kallëzimin e Geron Xhafaj dhe në përfundim rezultoi se video ishte e montuar. Deputeti Ervin Salianji u dënua me një vit burg për "kallëzim i rremë".