Mbrojtja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj ka kundërshtuar vendimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për klientin e tij.
Mësohet se avokati Ermir Beta ka dërguar me postë ankimimin drejtuar Gjykatës së Apelit të Posaçëm ku kundërshtohet masa ndaj Veliajt.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ra në pranga më 10 shkurt pasi akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Gjatë seancës së zhvilluar më 12 shkurt avokatët e Veliajt kërkuan liri me kusht, në këmbim, të një garancie pasurore, por gjyqtari Erion Bani vendosi lënien në qeli të kryebashkiakut.
Ndërsa, për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, u zbut masa nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”, pasi kjo e fundit kërkojë një masë më të lehtë me arsyen se ka djalin e vogël për t’u kujdesur dhe se nuk ka askënd që ta ndihmojë.
Netë Veliaj ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke e quajtur një gjyq politik 3 muaj para zgjedhjeve. Gjithashtu, në reagimet e tij nga qelia në Durrës ku dhe ndodhet nuk ka “kursyer” prokurorin Ols Dado si dhe gjyqtarin Erion Bani.
Veliaj akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Vlen të theksohet se këto vepra penale dyshohen se janë konsumuar plot 9 herë nga çifti Veliaj – Xoxa, kjo e fundit me 3 akuza zyrtare, të cilat janë: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”
Faktet penale të evidentuara nga njoftimi zyrtar i Prokurorisë së Posaçme që kanë çuar në burg Erion Veliajn:
· Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë – Dyshohet se kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka përfituar në mënyrë të parregullt fonde publike nëpërmjet skemave të lejeve të ndërtimit dhe organizatave të lidhura me të.
· Shpërdorim detyre – Erion Veliaj dyshohet se ka përdorur detyrën për të miratuar fondet publike dhe lejet e ndërtimit në favor të subjekteve të lidhura me të dhe familjen e tij.
· Pastrimi i produkteve të veprës penale (neni 287 i Kodit Penal) – Fonde publike të përfituara përmes korrupsionit janë pastruar nëpërmjet OJF-ve, shoqërive tregtare dhe individëve të afërt me familjen e kryetarit të Bashkisë.
· Fshehje pasurie dhe deklarim i rremë i pasurisë – Bashkëshortja e E.V., A.X., nuk ka deklaruar pasuri të paluajtshme dhe shpenzime të mëdha për blerje luksi, siç kërkohet nga ligji për deklarimin e pasurisë.
· Falsifikim i dokumenteve financiare dhe lëshim faturash fiktive – Dyshohet se janë përdorur fatura të rreme për të fshehur origjinën e paligjshme të fondeve të përfituara përmes skemës së korrupsionit.
· Mashtrim dhe shmangie fiskale – Kalimi i fondeve publike përmes OJF-ve dhe shoqërive tregtare dyshohet se ka ndodhur me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe maskimin e transaksioneve të paligjshme.
· Mosdeklarim i interesave në organizata jofitimprurëse dhe subjekte fitimprurëse – A.X. nuk ka deklaruar pjesëmarrjen e saj në borde organizatash, të cilat kanë përfituar fonde publike dhe kanë qarkulluar shuma të mëdha parash.