
Gjatë vizitës në kapin e emigrantëve në Gjadër, kryeministria italiane Georgia Meloni u përball me një incident.
Deputeti i opozitës italiane, Riccardo Maggi nga partia “Piu Europa” u përplas me Melonin duke e akuzuar se çdo gjë e bën për fushatë elektorale. Duke u shtyrë me badigardët e kryeministres italiane, me pankartën “Jo Guantanamos italiane”përfaqësuesi i partisë “Piu Europa”, ka kritikuar marrëveshjen e emigranteve mes dy vendeve tona, duke kërkuar anulimin e saj.
Ndërsa në një intervistë për Euroneës Albania, Magi tha se arsyeja pse kishte zgjedhur të vinte në Lezhë sot ishte për të parë nga afër, si ligjvënës italian, se ku kanë shkuar 1 miliardë euro burime të taksapaguesve italianë.
Sipas tij, emigrantët që do të dërgohen në Shqipëri, ndryshe nga ata që vijnë në Itali, do të diskriminohen dhe do t’iu mohohen të drejtat e njeriut, duke u burgosur në vend që të trajtohen si azilkërkues.
“Unë zgjodha të vija sot në Shqipëri për të ushtruar të drejtën si ligjvënës italian për të vizituar strukturën, sipas marrëveshjes ajo strukturë është tokë italiane, por ajo që pamë është vetëm një fushatë elektorale, nuk dimë asgjë si do funksionojë ky vend.
Së pari burimet që do të shpenzohen, rreth 1 mld euro, burime që vinë nga qytetarët italianë, do hidhen poshtë për të ngritur një vend ku do qëndrojnë pak mijëra njerëz, pasi janë shumë pak në krahasim me ata që vijnë në Itali, atyre nuk do t’u respektohen as të drejtat e tyre, ndaj është arsyeja pse do të dërgohen në Shqipëri.
Mjafton të mendosh se emigrantët që janë në kushte të njëjta, nëse do vijnë në Itali do shkojnë si azilkërkues, nëse do shkojnë në Shqipëri do të burgosen dhe kjo është absurde, një diskriminim i njerëzve që janë në të njëjtën pozitë”, - tha deputeti i opozitës italiane, Riccardo Maggi.
Kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni ishte sot në një vizitë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama në kampin e refugjatëve në Gjadër, si dhe në atë që do të përdoret për pritjen e tyre, në Shëngjin.