Elisa Spiropali është duke ju folur kolegëve deputetë në sallë në nisje të këtij sesioni të ri parlamentar, ku ajo do të mbajë postin e kryetares. Në fjalën e saj, spikat bashkëpunimi mes palëve dhe arritja e dakordësisë mazhorancë-opozitë, për nismat që u shërbejnë qytetarëve.
"Le t'i kthejmë këto muaj të mbetur të kësaj legjislature në një mundësi të shtuar për të pohuar mundësitë e pakufishme që sjell liria, bashkëpunimi, ndeshja e ideve dhe gara e ndershme e tyre", është shprehur kryetarja Elisa Spiropali.
Por në të njëjtën kohë që Elisa Spiropali fliste para deputetëve në ditën e parë të nisjes së punimeve të Kuvendit të Shqipërisë, jashtë këtij institucioni po zhvillohet protestë.
Banorët e Thumanës kanë zgjedhur që të mësyjnë këtë të hënë drejt Tiranë, duke mos protestuar si zakonisht në mes të autostradës Thumanë-Kashar, por para Kuvendit për të bërë që shqetësimi i tyre të dëgjohet dhe më shumë.
Ata janë shprehur se rruga dhe Kuvendi është i tyre, jo i deputetëve që janë në sallë. Pra, ai i takon popullit dhe si të tillë, ata duhet të dëgjohen.
Policia e Shtetit ndërkohë është vendosur kordon para protestuesve, për të marrë çdo masë që garanton lirinë e tubimit, por edhe sigurinë e institucioneve të rëndësisë së veçantë, siç është Kuvendi i Shqipërisë. Pavarësisht gatishmërisë së Policisë, protesta është e qetë.
© Newsbomb.al