Kryeministri Edi Rama ishte sot në Laç, ku inspektoi nga afër ecurinë e punimeve në zonën e re, për zhvillim, ku një pjesë e apartamenteve janë drejt përfundimit, ndërsa të tjerat në faza të ndryshme të punimeve.
“Tashmë po shkojmë drejt përfundimit të 60 apartamenteve për të bërë gati fillimin e korrikut hedhjen e shorteut për 60 familje e para dhe po ecim vazhdimisht dhe me hyrje të tjera për të bërë të mundur që brenda këtij viti të dorëzojmë edhe gjithë këtë lagje. Në këtë lagje të re për zhvillim janë 170 apartamente, ka 6000 m2 infrastrukturë nëntokësore, parkime dhe të gjitha katet e para të gjithë subjekteve janë me njësi shërbimi, që do të jenë pastaj dhe një promotor ekonomik. Ka dy tre parqe midis grupeve të pallateve.
Të gjitha janë me parkim nëntokësor, janë rreth 50 biznese në gjithë këtë bllokun e pallateve këtu.”, shpjegoi Kryetarja e Bashkisë Majlinda Cara, ndërsa theksoi se: “Krahas kësaj zone ne kemi dhe 9 pallate që po ndërtohen në të njëjtën truall. Kemi përkatësisht dy në Mamurras që janë drejt përfundimit, i japim çelësat në fillim të muajit korrik. Brenda këtij viti, ne akomodojmë 375 familje bashkë me njësinë administrative Mamurras dhe mbyllim apartamentet.” tha ajo.
Projekti parashikon ndër të tjera edhe ngritjen e një qendre të re shëndetësore për qytetarët.
“Kjo është qendra shëndetësore, ky është projekti i ri qendrës shëndetësore, përkatësisht është 3 kate, janë rreth 12 mjek familjeje, do jetë me sallë mikro-kirurgjie”, u shpreh Cara, e cila informoi ndër të tjera se në Kurbin, janë në kantier 5 qendra shëndetësore dhe se për pak ditë përfundon qendra shëndetësore në Mamurras që është një spital i mirëfilltë për zonën e Mamurrasit.
Në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në bashkinë e Kurbinit vijon intensivisht procesi i Rindërtimit, duke u shtrirë në të gjitha lagjet e rrugët e brendshme.
Aktualisht janë në ndërtim e sipër apartamente të 3 tipologjive, (1+1; 2+1 dhe 3+1), të shpërndara në 10 pallate, pjesë e zonës së re për zhvillim, ku brenda këtij viti do të akomodohen 375 familje. Por jo vetëm. Krahas ndërtimit nga themelet të apartamenteve të reja me kushte optimale, po bëhet edhe ndërtimi i rrjetit rrugor dhe infrastrukturës urbane të zonës përreth, duke zgjeruar hapësirat publike, dhe duke krijuar komoditet në lëvizjen e mjeteve, me akses të përmirësuar për lëvizjen e këmbësorëve dhe korsi të dedikuar të lëvizjes me biçikleta.