
Personi që shikoni në foto është mashtuesi shkodran Florian Gjergji, i cili ka tërhequr vëmendjen e kryeministrit Edi Rama dhe e ka “detyruar” të reagojë sot publikisht.
"Një lojë mashtruese me kompjutera që imitojnë numrin e telefonit ka dëmtuar disa persona deri më sot. Policia e Shtetit ka ndaluar dhe çuar para drejtësisë disa prej këtyre mashtruesve, të cilët kanë arritur të marrin para prej të dëmtuarve.
Por ndërkohë që policia vazhdon punën e saj për identifikimin e të tjerëve, u sugjeroj të gjithë atyre që marrin mesazhe në emrin e personave publikë, të verifikojnë paraprakisht vërtetësinë e dërguesit, që të shmangin kurthin e kësaj loje kriminale," shkroi Rama në reagim.
I shumëkërkuari quhet Florian Gjergji dhe ka arritur të fusë në “thesin” e tij dhjetëra biznesmenë të fuqishëm në Tiranë, disave prej tyre duke iu marrë shuma të madha parash.
Duke përdorur emrat e politikanëve të njohur të vendit tonë Gjergji u shkruan në aplikacionet e komunikimit biznesmenëve duke u shtirur si person i njohur, me post të lartë shtetëror dhe u kërkon atyre shuma të majme parash.
Një tjetër biznesmen i njohur ka rënë në grackën e Florian Gjergjit, i cili që prej 10 janarit të vitit të shkuar është shpallur në kërkim nga autoritetet. Bëhet fjalë për biznesmenin nga Librazhdi, me ininciale F.Rr. Ai denoncoi në polici se është mashtruar nga një person që pretendonte se ishte ministri i Brendshëm Taulant Balla.
Sipas asaj që biznesmeni ka deklaruar më herët në Polici thuhet se një person, duke u shtirur si ministri Balla, i kishte dërguar një mesazh ku dhe i kishte thënë “jam në një dreke”, “ma mbaron një porosi”, “do kalojë një miku im andej jepja 100 mijë Euro dhe rregullohemi”. Biznesmeni i ka kthyer mesazh duke i thëne “Ok”, “të flasi me mua”. Kontakti “Taulant Balla”, i ka kthyer duke i thënë “ok po telefonon pas pak”.
Dhe ashtu ndodhi, takimi u organizuar dhe biznesmeni i dorëzoi 100 mijë eurot një personi në një makinë, e cila rezultoi se ishte një taksi. Mirëpo, kur kuptoi se kishte rënë pre e një mashtrimi ishte tepër vonë pasi paratë ishin dorëzuar.
F.Rr ka thënë në Polici se Ballën e ka mik familjar, por në telefon i kishte të regjistruar një tjetër numër kontakti. Me ndihmën e një të afërmi konfirmoi se numri që i shkruante në Viber dhe i kërkoi paratë, nuk i përkiste ministrit Balla. Në këtë momenti ai kuptoi se kishte rënë pre e mashtrimit.
Policia nisi verifikimet dhe rezultoi se numri i cili kishte kontaktuar biznesmenin ishte i regjistruar në emrin e dy përdoruesve, një djali dhe një vajze. Grupi hetimor, që i tregoi biznesmenit dy fotografitë e personave, evidentoi Kristjano Përndojin si shtetasin që ishte brenda makinës kur mori 100 mijë eurot të cilat i kishte futur në një kuti dhe më pas në një qese të bardhë. Përndoji ra në prangat e Policisë më 3 maj, mirëpo Prokuroria ka kërkuar lirimin e tij pasi arrestimi është bërë në kundërshtim me ligjin, pasi ai nuk u kap në flagrancë por u ndalua më vonë.

Mbrapa të gjithë kësaj skeme dyshohet se qëndron pikërisht “truri i mashtrimeve”, Florian Gjergji. Le të kthehemi pas në kohë dhe të listojmë disa prej mashtrimeve të Gjergjit. Në maj të vitit të shkuar, 2023, Gjykata e Tiranës caktoi për të masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, e deri më sot ai nuk është mundur të kapet nga policia dhe dyshohet se ndodhet në Gjermani.
Por, pavarësisht që policia e kërkon ai nuk ka lënë pasdore mashtrimet. Skema që Gjergji ka përdorur për të mashtruar biznesmenët është se fillimisht ai u dërgon një mesazh. Në rastin e tentativës për ta futur në grackë pronarin e “Everest”, Gjergji përdori një aplikacion komunikimi me numër me prefiks të Britanisë së Madhe iu prezantua atij si zyrtar i tatimeve.
“Jam Ermal Dredha më duhen 35 mijë euro”, ky ishte mesazhi që i shkoi në telefon pronarit të “Brunes”. Në kuadër të këtij rasti në pranga ranë Afrim Radici, Gëzim Çelani dhe Qazim Vata. Ka qenë Gjergji ai i cili i kishte thënë bashkëpuntorëve që të shkonin në qendrën tregtare dhe të takonin biznesmenin dhe t’i thoshin që kanë shkuar për të marrë “pakon”, shumën prej 35 mijë euro. Mirëpo, ata nuk ishin në dijeni që biznesmeni kishte njoftuar policinë. Me të mbërritur në qendrën tregtare, policia i kapi në flagrancë këta shtetas.
Edhe Pëllumb Salillari ka qenë “preja” e Gjergjit. Atij iu kërkuan 130 mijë euro. Në kuadër të këtij operacioni i cili mbante emrin “Signal” ranë në pranga Jasmin Pepaj, Rezart Pepaj dhe Sherif Kadroviç. Tre të rinjtë shkodranë tentuan që përmes një mesazhi ku prezantoheshin me emrin “Edi” të mashtronin biznesmenin e ndërtimit.
Ndërkohë, më pas policia arrestoi dhe tre persona të tjerë, Erjon Likën, Edmir Jaçen dhe Gazmit Ismailajn, të cilët nën urdhrat e Gjergjit tentuan që t’i marrin 13 mijë euro administratorit të një biznesi në Kamzë.
Gjithashtu lidhur me këto skema mashtrimi kanë rënë në pranga në shtator të 2023 edhe Ergys Ahmetaj, Andi Basha dhe Gëzim Kusi, të cilët i kërkuan para pronarit të një kazinoje në Tiranë.
Koka e këtij grupi kriminal, Florian Gjergji, ka tentuar që të tërheqë në grackë edhe biznesmenin me ininciale R.G, të cilit në mënyrë mashtruese iu prezantuan në emër të kryebashkiakut të Tiranës. Policia gjurmoi personat që shkuan të marrin paratë dhe arrestoi babë e bir, Bedri e Albert Vodha, gjatë operacionit të koduar “Telegram”.
Nga hetime e kryera ka rezultuar se koka kryesore kriminale e mashtrimit është Florian Gjergji, i cili deri më tani ka arritur që t’i shpëtojë arrestimit.