
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është takuar gjatë ditës së sotme në Davos, Zvicër me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Në këtë takim, Rama dhe Zelensky kanë nënshkuar një marrëveshje bashkëpunimi që i përket fushës së sigurisë.
“Davos – Me Presidentin e Ukrainës, Volodymir Zelensky, nënshkruam një marrëveshje të rëndësishme në fushën e sigurisë”, shkruan Rama krahas fotove që ka postuar në Facebook.
Kryeministri Rama ka udhëtuar gjatë ditës së sotme drejt Davos në kuadër të punimeve të Forumit Ekonomik Botëror.
Gjithashtu ai është takuar dhe me Christine Grahn, përfaqësuesen e TikTok për Marrëdhëniet me Qeveritë dhe Politikën Publike në Europë. Në fokus të bisedës ishin shqetësimet që çuan në vendimin për bllokimin e përkohshëm të platformës në Shqipëri dhe mundësitë për rikthimin e saj me standarde të përmirësuara sigurie.
Rama deklaroi se diskutimi me Grahn ishte i hapur dhe konstruktiv, duke u përqendruar në masa konkrete që mund të ndërmerren për të garantuar një mjedis më të sigurt për përdoruesit shqiptarë.