Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Edi Rama rrëzon marrëveshjen për kampin e emigrantëve? Reagon kryeministri: M’u vunë në gojë fjalë që nuk i thashë kurrë

Shkruar nga Newsbomb
Edi Rama rrëzon marrëveshjen për kampin e emigrantëve?
Edi Rama dhe Giorgia Melloni

Edi Rama ka reaguar për lajmet që qarkullojnë në Itali ku raportohet se kryeministri shqiptar ka bërë një hap pas sa i përket marrëveshjes me fqinjët për emigrantët. I pari i qeverisë ka theksuar se fjala e tij është deformuar nga gazetarët italianë dhe thekson sërish se Shqipëria do t’i mirëpresë emigrantët që Italia do të sjellë në Gjadër sipas marrëveshjes me Georgia Melonin.

Ai tregon detaje nga biseda e tij me italianët, por evidenton faktin që në gojën e tij janë vendosur fjalë që s’i ka thënë asnjëherë. 

“Jo, as kam ndryshuar ide, as kam dhënë intervistë. Kam bërë shqiptarin që praktikon fenë e vet të lashtë të mikpritjes – shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut – duke iu ofruar një kafe disa miqve të mirë që kishin ardhur në Tiranë nga Italia. Folëm për shumë gjëra në një atmosferë të bukur miqësore dhe, sigurisht, edhe për marrëveshjen dhe historinë e imigracionit klandestin nga Shqipëria drejt Italisë, të cilit qeveria D’Alema arriti t’i jepte fund me një logjikë dhe largpamësi strategjike.

Kurrë, ama, nuk e kisha menduar që do të përfundoja edhe njëherë në batakun e luftës politike italiane, duke më cituar me fjalë që nuk i kam thënë kurrë, të llojit “do jetë një dështim” ose “do duhej D’Alema” nën titullin “Rama heq dorë nga Meloni”, ku nuk e gjej aspak veten. Megjithatë, e përsëris: Edhe po të kthehesha një qind herë pas, sërish do ta bëja marrëveshjen për migrantët me Italinë dhe me asnjë vend tjetër. E kam thënë gjithnjë që, sipas meje, është diçka e re që duhet të kalojë provën e realitetit.

Pastaj, nëse për realitet merret një foto e publikuar nga një kantier orët e para të punës, shoqëruar me titullin “800 milionë të hedhura kot”, atëherë jetojmë në botë paralele dhe asgjë nuk mund të na afrojë me sfidën masive të migracionit të paligjshëm, në një Europë që duhet të bashkohet për të luftuar në të njëjtën kohë trafikimin kriminal të të varfërve dhe dimrin demografik që kërcënon gjithnjë e më shumë të ardhmen e saj, ndërkohë që politikanët u ngjasojnë priftërinjve të Kostandinopojës, të cilët ishin kaq të zënë me grindjet për seksin e engjëjve, saqë nuk po kuptonin që muret e qytetit ishin rënë tashmë nga të gjitha anët”, shkruan ai.

Artikulli italian i “La Repubblica” shkruante se kryeministri Rama kishte hedhur poshtë marrëveshjen me Meloninë, por këtë i pari qeverisë shqiptare e ka rrëzuar përmes postimit në rrjetin social “X”.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese