![Edi Rama rikthen turin me diasporën, dërgon "të](https://cdnimpuls.com/newsbomb.al/media3/-900-0-1736441320xedi-rama-athine-greqi-826.png)
Puna për zgjedhjet e majit ka nisur në kampin e socialistëve. Të majtë e të djathtë “çelësin” e fitores e shohin te emigrantët, vota e të cilëve do të jetë e mundur për herë të parë në këto zgjedhje.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se kryesocialisti, Edi Rama ka mobilizuar të vetët dhe ka vendosur që t’i “delegojë” në shtetet ku ka një prezencë të lartë të shqiptarëve.
Ky vendim nga kreu i Partisë Socialiste dhe njëherësh dhe kryeministri i Shqipërisë, është marrë gjatë mbledhjes të kësaj të enjte.
Konkretisht mësohet se takimet me emigrantët do të nisin nga kjo fundjavë, ku një grup prej të cilëve do të nisen që ditën e shtunë.
Në Athinë do marrin pjesë në takime, Drejtuesi politik i Vlorës, Bledi Çuçi së bashku me kryetarin e bashkisë Ermal Dredha, drejtuesja politike e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro e shoqëruar nga kryetari i bashkisë, Flamur Golemi, si edhe drejtuesja politike e qarkut Fier, Belinda Balluku me kryetarin e bashkisë, Armando Subashi.
Ndërsa, Taulant Balla i cili është dhe drejtuesi politik për diasporën do të udhëtojë drejt Italisë.
Gjithashtu mësohet se Partia Socialiste pritet të sigurojë edhe asistencë për emigrantët që do të regjistrohen në platformën e KQZ për të marrë pjesë në zgjedhje, në mënyrë që të maksimizojnë votën e diasporës. Rama ka lënë porosi ngritjen e disa pikëtakimeve që do të shërbejnë si pika informimi për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.