
Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë një takimi me qytetarët në Gramsh se shqiptarët e kanë shumë të thjeshtë se çfarë duhet të zgjedhin në zgjedhjet parlamentare të 11 Maj.
Edi Rama theksoi se shqiptarët ose duhet të zgjedhin të fusin Shqipërinë në Bashkimin Europian duke votuar Partinë Socialiste, ose të mbrojnë interesin e familjes Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se Sali Berisha kërkon vazhdimisht që të bëjë çorap të gjithë Shqipërinë. As nga Gramshi nuk munguan fjalët tashmë të zakonshme të Ramës për Berishën, të cilin e quan buf dhe opozitën kënetë.
"S'ka nevojë t'i shtrini dorën e t'i përuleni bufit të kënetës. Janë disa çyrykë. Unë se di çfarë është tjetër dikush që midis BE dhe kënetës, disa zgjedhin të hidhen në kënetë. Pasaporta europian është dokumenti që i barazon në dinjitet, ligj e zakon, shqiptarët europianë.
Me pasaportën shqiptare ti mund të rrish në çdo shtet të Europës, të njihet e drejta e punës kudo, merr pension nga çdo shtet i Europës.
Madje me pasaportën shqiptare mund të zgjidhesh nëse merr votat e shqiptarëve, anëtar i këshillit bashkiak, kryetar bashkie, deri në deputet në Parlamentin Europian.
Shqiptarët duhet të zgjedhin e të marrin më 11 Maj, ose në interesin kombëtar ose me hallin e një njeriu të vetëm, një 80 e ca vjeçar që vazhdon të kërkojë të bëjë çorap Shqipërinë.
Ose të gjithë bashkë ose të ndarë për interesin e një famije të vetme. Ose me Shqipërinë, me BE-në, në Europë, njëherë e përgjithmonë, ose me kënetën në gropë edhe njëherë nga e para. Kjo është zgjedhja e 11 Majit."-tha Rama.
Sondazh