Kryesocialisti Edi Rama ka mbledhur mëngjesin e kësaj të hëne Kryesinë e Partisë Socialiste. Burime për mediat bëjnë me dije se në fokus të kësaj mbledhje janë zgjedhjet e 11 majit 2025.
Sakaq, pritet që ditën e sotme të zyrtarizohet edhe emri i Blendi Klosit si drejtues politik në Dibër.
Newsbomb bëri me dije më herët se Klosi do t’i zërë vendin Blendi Gonxhes në Dibër, ndërsa ky i fundit do të jetë një nga drejtuesit politik në qarkun e Tiranës, kryesisht në zonën e Kombinatit.
Këto ndryshime të socialistëve vijnë teksa partia po riorganizohet në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi më 5 dhjetor datën 11 maj 2025 për zgjedhjet e përgjithshme.
Begaj nxori dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve të cilat do të mbahen në datën 11 maj 2025. Për këto zgjedhje, kreu i shtetit kishte në dispozicion katër ditë të diela, midis datave 15 prill dhe 15 maj 2025.
Përmes një njoftimi zyrtar Begaj theksoi se shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, qëndron në nevojën e shprehur nga KQZ-ja për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen e infrastrukturës ligjore dhe organizative, me qëllim që të bëhet i mundur votimi i sukseshëm dhe rezultativ i shqiptarëve nga jashtë vendit.
Ndër të tjera, presidenti shprehu bindjen se sfida madhore e këtyre zgjedhjeve është votimi nga jashtë vendit dhe përfshirja masive e zgjedhëve me banim jashtë shtetit në këtë process thelbësor për demokracinë.