
Gjatë 24 orëve të fundit kryeqendra e Shqipërisë ka “vluar” nga zhvillimet. Mesditën e së hënës kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ra në pranga me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Arrestimi i “gjyshit” apo “kokës” së Bashkisë së Tiranës, ashtu si dhe kryeministri Edi Rama iu referua mëngjesin e kësaj të marte, ndodhi vetëm një ditë para festimeve për 105 vjetorin e shpalljes së Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë.
E teksa Veliaj ndodhet në qeli, kryeministri Edi Rama është siguruar që njëjtë si dhe vitet e tjera festimet për këtë përvjetor të mos mungojnë.
Burime për newsbomb bëjnë me dije se Rama ka thirrur të gjithë Kryetarët e Bashkive të Shqipërisë të vijnë në Tiranë dhe t’i bashkohen festimeve për 105 vjetorin e shpalljes së Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë.
Sakaq, theksojmë se paraditen e kësaj të marte Rama shkoi në Bashkinë e Tiranës ku dhe zhvilloi takime me nënkryetarët e këtij institucioni.
Vizita e kreut të qeverisë në Bashkinë e Tiranës erdhi pas komunikimit të tij me ndjekësit ku dhe “theu” heshtjen dhe foli për herë të parë lidhur me arrestimin e kryebashkiakut.
Kryeministri dhe njëherësh dhe kryesocialisti doli në mbrojtje të Veliajt duke i kujtuar SPAK se ka lënë qytetarët e Tiranës “pa kokën” e tyre, një i zgjedhur me tre mandate.