
Edi Rama ka komentuar për herë të parë këtë të hënë hetimet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj kryebashkiakut të Tiranës dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të kryeministrit, Erion Veliaj.
Kreu i qeverisë u pyet nga gazetarja lidhur me vijimësinë e jetës politike të Veliajt brenda Partisë Socialiste, forcë politike në të cilën bën pjesë prej shumë vitesh.
Rama u shpreh se kryebashkiakut Veliaj aktualisht është duke iu cënuar jeta familjare dhe dinjiteti nga gjyqi publik që po i bëhet si dhe nga opinionistët që sipas kryeministrit po bëjnë “prokurorin dhe gjykatësin” nga tavolinat e lokalit apo pas ekranit të telefonit.
Duke refuzuar të japë një koment më të qartë sa i përket hetimeve, kryeministri la të kuptohet se kjo çështje është në duart e drejtësisë dhe do të jetë ajo që do të vendosë.
Pyetja: Duke nisur me rastin që Erion Veliaj një nga figurat e rëndësishme të PS jo vetëm si kryetari i Bashkisësë Tiranës por edhe si drejtues politik, ai i cënohet jeta politike Erion Veliajt në PS pas nisjes së hetimeve nga SPAK.
Edi Rama: Përkohësisht di që Erion Veliajt i cënohet jeta e tij familjare nga gjyqi publik i bërë jo nga institucioni përkatës por nga të gjithë ata që janë angazhuar nëq atë gjyq. I cënohet dinjiteti nga prokurorët dhe gjykatës të ulur nëpër klube mediatike apo të fshehur pas ekraneve të portaleve dhe të socialeve, këtë e di me siguri. Ndërsa, sa i përket pjesës tjetër nuk bën përjashtim askush nga ajo që unë kam thënë që në fillim unë nuk bëj komente për çështje që i takojnë institucioneve të drejtësisë.
Mund të bëj koment deri më sot, kjo mund të ndryshojë, nëse do ndryshojë do të ketë një arsye të fortë dhe do e ndaj me ju, por deri sot ky është mendimi im. Mund të bëj një koment për një vendim të formës së prerë siç kam bërë për një vendim që ka qenë vendimi më të drejta për mua në këtë vend ku shpifja është bërë mbret dhe e vërteta ështëk thyer në skllav ndërsa sa i përket rastit konkret nuk bën përjashtim. Por është pak por e sigurt që lincimi publik i kryetarit të Bashkisë është i neveritshëm dhe që kërkimi për gijotinës për të është skandaloz. Këto janë komente, për më shumë nuk kam.
Theksojmë se kjo është hera e parë që kryeministri Edi Rama reagon pas akuzave të ngritura nga Prokuroria e Posaçme ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Prokuroria e Posaçme përmes një njoftimi zyrtar bëri me dije se Erion Veliaj po hetohet për konsumimin e 4 veprave penale, për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të-personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim.”
Sipas asaj që SPAK njoftoi u bë me dije se ky hetim ndaj Erion Veliajt erdhi pas një kallëzimi të bërë nga shtetasi Nesti Angoni, emrin e këtij të fundit e bëri publik vetë kryebashkiaku pasditen e së enjtes gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak.