Kryeministri Edi Rama ka përdorur tone ironike në adresë të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një aktiviteti në Elbasan, ku komentoi projektin për rijetëzimin e kalasë së qytetit.
Rama e quajti Berishën një “stalker” të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, duke nënkuptuar ndërhyrjet dhe kritikat e tij të vazhdueshme.
“Mirëpresim sa më parë stalkerin e fondit që të shfaqet në kala dhe të këndojë këngën e kukuvajkës me pamjen e kanarinës, që ta marrim edhe këtë bekim, se na duhet,” deklaroi kryeministri, duke theksuar ironikisht rolin e Berishës në raport me projektet zhvillimore.
Rama vijoi me humor, duke bërë referenca të çuditshme për hudhrat dhe syrin e keq, duke theksuar: “Nëse do të nderonte me vizitën e saj kukuvajka-kanarinë, do të ishim shumë mirënjohës. Do ta forconim edhe më tej këtë marrëdhënie mafioze korruptive me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe do të vendosnim të gjitha paratë e krimit të përbashkët në dispozicion të Elbasanit. Sigurisht, nuk do të kishte sy të keq që do të na afrohej më, sepse do të kishim një hudhër këtu në point zero”.
Duke përfunduar, Rama shprehu “entuziazmin” e tij për faktin që Fondi Shqiptar i Zhvillimit, sipas tij, ka fatin të ketë një “stalker” si Berisha, të cilin e përshkroi në mënyrë ironike si “unik” për cicërimat e tij të vazhdueshme.