Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pushuar për herë të dytë radhazi kallëzimin penal që vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, depozitoi pranë organit më të lartë të akuzës kundër kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhin, të cilin e akuzonte për “Kallëzim të rremë”.
Burime për Ora News bëjnë me dije se vendimi për mosfillimin e hetimeve është marrë nga prokurori, Sotir Kllapi. Ky vendim i është komunikuar këtë të premte edhe Olsi Ramës, i cili u paraqitur paraditen e sotme pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, më 15 maj 2024 kallëzoi sërish në SPAK deputetin demokrat, Gazment Bardhin, lidhur me akuzat që ky i fundit ka bërë ndaj tij sa i përket çështjes së ashtuquajturës dosje të “Xibrakës”.
Rama depozitoi kallëzimin e tij pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ku dhe e akuzon Bardhin për “kallëzim të rremë”.
Kjo kërkesë e Ramës në SPAK ka qenë e dyta pasi më herët organi i akuzës kishte vendosur që të mos pranonte kallëzimin e parë ndaj Bardhit (bërë më 17 Prill 2024), për shkak se ky i fundit nuk kishte bërë kallëzim në Prokurori, por vetëm një kërkesë për rinisje të hetimeve për “ Xibrakën”.
Në kallëzimin e dytë, Olsi Rama i referohej një statusi të Gazment Bardhit të bërë më 8 maj në “Facebook”, ku kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike shkruante se SPAK e kishte njoftuar zyrtarisht për rinisjen e hetimeve.
Ndërkohë, kujtojmë se ditën e sotme, 28 qershor 2024, vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, u paraqitur pranë ambienteve të SPAK. Shkurtimisht ai foli për mediat duke thënë se ishte thirrur për kallëzimin për dosjen e “ Xibrakës”.
"E keni deklaratën time, e keni lexuar", ju tha Olsi Rama gazetarëve që qëndronin në hyrje të SPAK, duke mos vazhduar më tej me përgjigjet, pavarësisht interesimit të lartë.