Ashtu sikurse ndodh çdo seancë planere dhe seanca e kësaj të enjte në Kuvendin e Shqipërisë po zhvillohet me debate dhe tensione.
Pas interpelancës mes deputetes Ina Zhupa dhe ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliut lidhur me ngjarjen e 18 nëntorit, ku 14-vjeçari Martin Cani humbi jetën tragjikisht jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli”, fjalën e ka marrë ish-kryeministri Sali Berisha.
Lideri i demokratëve i kërkoi kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropalit që t’i jepte fjalën deputetes Zhupa, pasi fjalori që ajo përdori ndaj Manastirliut është i bazuar në dokumenta.
“Nuk mund të mos denacoj brutalitetin me të cilën kryetarja i pret fjalën deputetes dhe proteston me se ajo i drejtohet me epitetin që i drejtohet mbarë Shqipëria. Në rast se ndonjeri këtu në Parlament ju thotë hajdut pa u bazuar në dokuementa zyrtare ju keni të drejtë ta padisni për shpifje, keni të drejtë. Por, nëse mbi bazë dokumenta këtu bëhet gjyqi publik i hajdutëve është bërë, e do bëhet”, tha Berisha, fjala e të cilit më pas u ndërpre nga Spiropali.
Pas Berishës, fjalën në Kuvend e mori deputeti demokrat Edmond Spaho i cili i vuri në dukje Spiropalit faktin se gjatë kësaj seance ka ndryshuar qëndrim sikur të kishte ndonjë problem.
“Zonja kryetare vë re një ndryshim shumë të madh të qëndrimti tuaj, i cili shprehet në fjalor madje dhe në fytyrë jeni shumë e egër, duket sikur iu kanë rrahur. Ka ndodhur ndonjë gjë? Sepse ne jemi deputetë dhe ju kemi juve kryetaren tonë dhe duhet tju dalin në krahë”, iu drejtua Spaho-Spiropalit, ndërkohë deputetët e opozitës “shpërthyen” në të qeshura.