Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta njoftoi pak ditë më parë se kishte nisur zyrtarisht procedurat e divorcit me bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.
Ditën e sotme, Gjykata e Tiranës ka vendosur që çështja e zgjidhjes së martesës midis Metës dhe Kryemadhit do të shqyrtohet nga gjykatësja, Fahrije Budo, e cila u zgjodh nëpërmjet një shorti elektronik të hedhur ditën e sotme.
Në deklaratat e tij të dhënë më parë, Meta shprehet se shkak për divorcin midis tyre janë bërë mosmarrëveshjet për disa çështje politike. Sipas kreut të PL-së, marrëdhënia me Monikën është krisur pas vendimit të Kryemadhit, në cilësinë e kryetares së Partisë së Lirisë për të djegur 19 mandatet e deputetëve në vitin 2017.
“Ka qenë vendimi më i vështirë në jetën time, është i motivuar nga ndarje të papajtueshme që lidhen me kauza të mëdha që janë etike për vendin. Marrëdhëniet tona kanë pësuar një krisje të forte që nga vendimi i saj si kryetare e LSI për djegien e 19 mandateve.
Qëndrimet e saj krejtësisht në krah të kundërt të kauzave që unë mbroj dhe që krijojnë konfuzion duhet të merrnin fund. Mirëkuptoj çdo reagim emocional të gjithkujt. Detyrimet e mia lidhen me kontributin e qindra mijëra njerëzve që kanë besuar te unë.
Ky vendim i imi nuk lidhet me raportet me të si grua apo nënë e tre fëmijëve tanë. Nuk po ndahem me një grua për një grua tjetër. U kërkoj shumë ndjesë tre fëmijëve të mi për shqetësimet që u kam krijuar”,- është shprehur më herët Meta.
Kujtojmë se njoftimin e ndarjes, ish-Presidenti Ilir Meta e konfirmoi të enjten e shkuar në emisionin e Çim Pekës, ku u shpreh se pas deklaratave të saj në SPAK, Monika nuk është më gruaja e tij, por ish-gruaja.
Për këtë vendim të tij, Monika nuk ishte në dijeni dhe lajmin e ndarjes e mësoi nga televizori. Më pas, Kryemadhi kërkoi që Meta t'i tregonte arsyet që e kishin çuar në kërkesën për divorc, të depozituar po atë ditë në Gjykatën e Tiranës.