Bashkia e Tiranës, institucion i qeverisjes vendore i drejtuar nga Erion Veliaj, është përfshirë ditët e fundit në vorbullën e zhvillimeve të drejtësisë. Disa drejtorë të këtij institucioni dhe vartës të tyre janë arrestuar e njohur me akuzat për "korrupsion" dhe "shpërdorim detyre".
Ndërkohë, fakte të reja kanë dalë dhe për një tjetër drejtor të rëndësishëm në Bashkinë e Tiranës. Elvin Tivari, rezulton se gjatë kohë që ka qenë në krye të departamentit të shitjeve në UKT Tiranë ka fituar një tender për të furnizuar me ujë Bashkinë e Tiranës.
Pra, institucioni i drejtuar nga Erion Veliaj ka blerë ujë për stafin dhe ambientet e zyrave nga kompania e drejtorit të vetë, "Gourmet & Co” në pronësi të Elvin Tivarit dhe Theofan Kazanxhiu.
Newsbomb.al ka parë dokumentet zyrtare dhe mëson se bëhet fjalë për një tender me vlerë 14 milionë lekë, me objekt "Blerje ujë i pijshëm për punonjësit e Bashkisë Tiranë për vitin 2018", në garë për të cilin janë futur dy kompanitë "Lajthiza Invest Sha" dhe "Gourmet & Co Shpk".
Vlera e fondit limit të tenderit ka qenë 1.404.957 lekë dhe kompania "Lajthiza" ka paraqitur ofertën më të ulët, 1.260.000 lekë. Mirëpo, kjo ofertë është rrëzuar nga Komisioni i Ofertave dhe tenderi është fituar nga kompania e drejtorit Elvin Tivari.
"Gourmet & Co Shpk" ka paraqitur ofertën prej 1.398.000 lekësh, pra në limit të fondit të tenderit dhe është shpallur fituese, shkruan newsbomb.al.
Kompania tjetër garuese ka paraqitur ankesë pranë institucioneve përkatëse, por tenderi nuk është anuluar. Megjithatë, tenderi është kategorizuar me "flamur të kuq" nga platforma Open Data Albania me arsyen se janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues përveç fituesit.
Një shënim "me flamur të kuq" ose RedFlag do të thotë se procedura e prokurimit përbën shqetësim ose ekspozim mbi një rrezik potencial për praktika korruptive dhe mosrespektim të ligjeve antikorrupsion, mbi dyshimet e gara është paracaktuar.
© Newsbomb.al