Ministri Taulant Balla gjatë seancës plenare këtë të enjte ka folur në lidhje me bashkëpunimin e policisë shqiptarë me atë italiane. Balla u shpreh se Italia është partneri ynë më i besuar dhe kanë 14 operacione të përbashkëta.
“Pak javë më parë para mundësinë të takohem me drejtuesin e prokurorisë kombëtare anti-mafia, i cili kishte në takim me palën shqiptare të gjithë drejtuesit e prokurorive anti-mafia në të gjitha rajonet dhe takimi është publik, njoftimi është bërë publik, ku gjëja e parë që e thonë të gjithë është bashkëpunimi i shkëlqyer me autoritetet shqiptare, qofshin ato ligjzbatuese.
Jemi vendi në marrëdhënie me Italinë që kemi më shumë operacione të përbashkëta. Kemi 14 operacione të përbashkëta. Dje kishit në Shqipëri kryeministren Meloni, nuk është e familjes tonë politike, është e qendrës së djathtë e cila vlerëson maksimalisht bashkëpunimin me qeverinë shqiptare.”
Ministri Balla njoftoi se javën e ardhshme do të mbahet në Tiranë konferenca europiane e INTERPOL, ku do të vijnë drejtues të policisë nga të gjitha vendet europiane.
“Javën e ardhshme kemi në Tiranë konferencën europiane të INTERPOL, vijnë drejtuesit e të gjithë policive të të gjitha vendeve të Europës. Shqipëria është një vend sot partner i besueshëm dhe këtu po përdor fjalët që i tha ditën e hënë edhe drejtori i përgjithshëm i agjencisë kundër drogës:
Në luftën kundër drogës Shqipëria është një partner i besueshëm dhe referencë për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Që nga dita kur keni kaluar në opozitë, keni tundur të njëjtën dajre, të njëjtin aheng dhe të njëjtin tekst”, - tha Balla