
Seanca parapake për dosjen “Partizani” me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, është shtyrë përsëri. Seanca e radhës është vendosur më datë 14 shkurt.
Gjyqi i ditës së sotme ka zgjatur vetëm 40 minuta, teksa mbrojtja e Malltezit ka paraqitur gjykatës prova shkencore për pafajsinë e tij. Ka qenë një nga avokatët e dhëndrit të Berishës që ka kërkuar shtyrje të seancës për shkak të një angazhimi tjetër.
Ish-kryeministri Sali Berisha është marrë i pandehur për korrupsion pasiv pasi akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv Partizani, ku përfitues ishte edhe dhëndrri i tij, Jamarbër Malltezi.
Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsioni pasiv, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin, privatizuan kompleksin partizani që i solli familjes miliona euro përfitime. Malltezi akuzohet dhe për pastrim parash.