Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka dalë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), ku dha dëshminë e tij në lidhje me dosjen “Xibraka”.
Bardhi tha se ka dorëzuar të gjitha dokumentet që kishte, për të cilat ka bërë edhe një denoncim publik, ku hidhte akuza se vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama është i lidhur me laboratorin e kokainës në Xibrakë.
Ai u shpreh se i ka dorëzuar të gjitha faktet që kishte dhe se këto fakte kanë mjaftuar që të rihapet dosja. Ai bëri thirrje që kjo çështje të hetohet sa më shpejt dhe që edhe personat e përfshirë në këtë dosje, të cilët janë cilësuar si “persona të paidentifikuar”, të identifikohen dhe të marrin dënimin e merituar.
“Atëherë siç jeni në dijeni më 29 mars pas një denoncimi publik, që kam denoncuar dhe për dyshimin e përfshirjes së vëllait të kryeministrit në aferën e Xibrakës. Dosjen e kam dorëzuar zyrtarisht në SPAK. Jam informuar qoftë me shkrim dhe me gojë që pas informacionit dosja e Xibërrakës është rihapur. Kanë rinisur hetimet për identifikimet për personat që ishin identifikuar si personat të paidentifikuar.
I kam konfirmuar pranë prokurorisë dhe seanca e marr në pyetja ishte nëse kisha për të shtuar në raport, isha në cilësinë e personit që kisha dijeni për ngjarjen.
Ajo që kam kërkuar është rihapja e këtij procedimi që ishte pezulluar që në 2018 dhe ishte harruar në arkivën e Prokurorisë, teksa personat e përfshirë ishin akoma si të paidentifikuar dhe nuk kanë marrë atë që meritojnë.
Hetuesit të veprojë me shpejtësi. I jam drejtuar pas denoncimit publik i jam drejtuar SPAK, ka një procedim penal të regjistruar”, tha Bardhi ndër të tjera.
Ai po ashtu kërkoi që të hetohen edhe dy prokurorët që vite më parë hetuan dosjen e Xibrakës dhe e mbyllën atë edhe pse “kokat” nuk ishin identifikuar.
“Nuk i bindem, përveç ligjit dhe Zotit, askush tjetër. Këtë çështje e kam trajtuar në rrugë institucionale. Nuk kam bërë politikë me këtë çështje. Presim që prokuroria e Posaçme të zbatojë ligjin. Të hetohet dhe roli i dy prokurorëve që kanë pasur në dorë dosjen Xibraka. Kokat e grupit kriminal ndoshta kanë ngelur pa identifikuar. Bëhet fjalë për laboratorin e parë të kokainës në vendin tonë, duhet të kishte hetim serioz. Të dy prokurorët zgjodhën që të bënin punën Ramës, se kishin interes vettingun”, tha ai ndër të tjera.