Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është parë mëngjesin e kësaj të premte të dalë nga GJKKO me valixhe me aktet e dosjes së SPAK. Seanca paraprake për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj më 13 maj u shty për në datën 3 qershor, në orën 09:00.
Shkak për këtë u bë fakti se Beqaj tha se ende nuk i janë vënë në dispozicion të gjithë aktet e dosjes hetimore, për çështjen e "Sterilizimit".
"Ende nuk na është vënë në dispozicion e gjithë dosja. S’jemi njohur akoma me dosjen. Në volumet e dosjes, ka brenda edhe CD, DVD, USB, të cilat nuk mund të skanohen, kemi kërkuar të na japin një kopje, akoma nuk na është plotësuar kjo kërkese. Përderisa janë pjesë e akuzës, duhet të njihemi me përmbajtjen e tyre. Që të bëjmë mbrojtjen duhet të njihemi", tha Beqaj në një prononcim të shkurtër me gazetarët pasi doli nga Gjykata e Posaçme.
Ish-ministri socialist Ilir Beqaj, vazhdon përballjen me drejtësinë në Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme, pasi akuzohet për shpërdorimin e fondeve gjatë kohës që drejton te Agjencinë për Koordinimin e ndihmave Europiane.
Ai disa herë "u mbyll” në ambientet e SPAK për të lexuar dosjen voluminoze ndaj tij, pasi refuzoi që të paguajë shumë prej 120 mijë lekësh të reja që i është kërkuar nga SPAK, për marrjen në dorëzim të materialeve hetimore. Por më pas 602 fashikujt e dosjes hetimore iu dorëzuan në mënyrë elektronike.
Si një ndër zyrtarët më të lartë të mazhorancës socialiste, Ilir Beqaj është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK për koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit. Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur” para një hetuesi apo oficeri të Policisë Gjyqësore një herë në javë, çdo të premte në orën 15.30.
Gjithashtu, Ilir Beqajt i është komunikuar dhe masa e dytë “Ndalim i daljes jashtë vendit”.
Në Gusht të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme arrestoi ish-zv/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, nën akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim, lidhur me koncensionin e sterilizimit afro 100 milionë euro 8 vjet më parë.